Kombëtarja shqiptare U-17 e ka fituar me rezultatin 2-0 vëllazëroren me Kosovën U-17, të luajtur këtë të mërkurë në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës. Trajneri Ervin Bulku e nisi sfidën me këtë formacion: Kiri, Koleci, Fikaj, Haxhari, Kurti, Nuredini, Zaganjori, Kasmollari, Agea, Tresa, Xhixho.

Siç shikohet, nga 11 lojtaret qe e kane nisur kete ndeshje si titullar, 4 prej tyre jane nga Shkodra. E kemi fjalen per portierin Kiri, per mbrojtesit Fikaj e Haxhari si dhe per mesfushorin Zaganjori.

Natyrisht jo keq. Mbi 30 per qind e ekipit baze te kombetares se kesaj grupmoshe, eshte nga Shkodra ose me origjine prej saj.

Kuqezinjtë e nisën shumë mirë sfidën dhe dominuan qysh në minutat e para. Si rrjedhojë goli i avantazhit do të vinte shumë shpejt e më konkretisht në minutën e 18-të. Tresa fiton një top në sulm dhe pasi avancon shënon një eurogol me një gjuajtje me të majtën nga distanca.

Topi përfundon në trekëndësh, duke mos i lënë asnjë mundësi portieri të Kosovës për të shmangur golin. Nuk kalojnë shumë dhe në minutën e 25-të përfaqësuesja shqiptare gjen edhe golin e dytë me Agean që finalizon saktë i vetëm me portierin pas një aksioni të rrjedhshëm të kuqezinjtë.

Kjo ishte miqësorja e parë e programuar për këtë grumbullim, ndërsa më datë 24 shtator Kombëtarja U-17 do të masë forcat me Kombëtaren U-18. Takimi mes dy përfaqësuesve të moshave kuqezi do të luhet më datën 24 shtator 2021 në kompleksin “Internacional” në Pezë Helmes duke nisur nga ora 11:00. Në këtë test do t’u jepet mundësia edhe lojtarëve të cilët nuk u aktivizuan ndaj Kosovës për të treguar aftësitë e tyre në një ndeshje.

Miqësoret janë një mundësi e mirë për trajnerin Bulku për të kolauduar grupin përfundimtar që do të ketë në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Kampionatit Europian 2022, që luhen në muajt tetor-nëntor në Irlandën e Veriut. Kuqezinjtë janë shortuar në Grupin 12 së bashku me Italinë, Skocinë dhe Irlandën e Veriut.