Viti 2020 po mbyllet në mënyrën më të mirë të mundshme për futbollin shkodran. Katër ekipe të Vllaznisë e kanë mbyllur këtë vit në vend të parë duke u kurorëzuar edhe si “kampionë dimri”. Një ecuri që nuk kishte ndodhur thuajse asnjëherë më parë dhe pikërisht për këtë arsye, të gjithë shpresojnë që ky të jetë sezoni i Vllaznisë.

Kuptohet që ndryshimin më të madh nga të gjithë këto ekipe, e ka pësuar ai i të rriturve të Vllaznisë. Në fillim të gushtit mundi Besëlidhjen në play-out dhe siguroi qëndrimin në Superligë, ndërsa 5 muaj më vonë e sheh veten në krye të renditjes dhe kandidate kryesore për fitimin e titullit kampion.

Një transformim rrënjësor i këtij ekipi dhe padyshim që meritën kryesore për këtë gjë e kanë drejtuesit dhe stafi i ri. Ndërkohë për ekipin e femrave të Vllaznisë renditja në vendin e parë është një proces tashmë i shndërruar në rutinë. Ai gjatë vitit 2020 u shpall për të shtatën herë rresht kampione e Shqipërisë, më pas kaloi një tur në Ligën e Kampioneve të Europës dhe tashmë po ecën e sigurtë drejt titullit të tetë kampion.

Ky vit që po lëmë pas, ka sjellë edhe të parin kampionat në vendin tonë për 21 vjeçarët dhe në gjysmën e parë të tij, është ekipi i Vllaznisë që kryeson me meritë renditjen duke qenë në vendin e parë. E njëjta gjë po ndodh edhe me Vllaznia U19 që kërkon titullin e rradhës kampion.

Viti 2020 është mbyllur kësisoj në mënyrën më të mirë të mundshme për ekipet kuqeblu por dëshira e të gjithëve padyshim është që këtë ecuri ata ta ruajnë deri në fundin e sezonit dhe të kurorëzohen atëherë kampionë të vendit.

Drejtuesit, stafet teknike dhe futbollistët janë duke i bërë planet për këtë gjë, megjithatë në këtë fundviti do kenë mundësinë edhe të pushojnë pak dhe të festojnë. Sepse në fund të fundit, meritojnë gjithçka./SHKODRA-SPORT.COM/