Nga 13 afrime që bëri Vllaznia gjatë verës, 5 rrezikojnë të largohen. Bëhet fjalë vetëm për të huaj, të cilët gjatë pjesës së parë të sezonit kanë pasur luhatje të mëdha.

Nëse emra si Emerson Brito dos Santos, Uenderson da Silva Soares, Aleksandër Ristevski apo Maksim Cojacaro janë zbuluar prej kohësh dhe janë zyrtarisht janë planeve, në dyshim është vënë edhe e ardhmja e Filip Gligorovit. 

Megjithatë, “divorci” me ta është më shumë se i komplikuar. Pavarësisht se drejtuesit duan t’i largojnë, vetë lojtarët nuk pranojnë që të ikin kaq thjeshtë.

Ata do ta pranojnë prishjen e kontratës me konsensus, vetëm nëse u plotësohet një kusht. Gazeta “Panorama Sport” zbulon se të huajt pranojnë të ikin, vetëm në qoftë se marrin rrogat deri në muajin shkurt.

Lojtarët në fjalë nuk e kanë bindur stafin teknik dhe nuk kanë luajtur shumë minuta, duke bërë që për Vllazninë për gjithë këtë pjesë të sezonit të jenë të pavlefshëm. Por, nëse kuqeblutë vendosin që ta prishin kontratën në mënyrë të njëanshme, rreziku që do t’i kanosej klubit do të ishte shumë herë më i madh.

Dy brazilianët dhe dy mbrojtësit mund të ngrenë padi në UEFA, duke kërkuar që të paguhen përtej shkurtit. Ende asgjë nuk është zyrtare dhe palët po bisedojnë për të gjetur një akord përfundimtar për “divorcin”.