Ky Inter me kokën lart e shikon vitin e ri me sytë e shpresës. Sepse frenimet e fundit nuk e kanë shuar aspak potencialin e skuadrës së Antonio Kontes dhe klubi zikaltër me vendosmëri po vijon luftën për titull, edhe pse linja e diktuar nga pronësia mbetet e qartë: rritje pa shpenzime të mëdha.
Ndaj lëvizjet në prag të merkatos së janarit duhen lexuar me vëmendje, pa u nxituar. Duke u nisur nga buxheti. Në kohë të shkurtra klubi zikaltër mund të mbështetet vetëm te rreth 20 milionë eurot e garantuara nga Gabigol. Sulmuesi brazilian pret verdiktin e Botërorit të Klubeve (Flamengo i tij është në finale) përpara se të zgjedhë të ardhmen.
Dhe ky hap do jetë thelbësor për të përcaktuar shifrën në dispozicion të administratorit të deleguar Xhuzepe Marota dhe drejtorit sportiv Piero Auzilio. Deri tani mund të parashikohet që Interi ka një mandat për të shpenzuar brenda tavanit të 50 milionë eurove për të përforcuar skuadrën në duelin me Juventusin: do veprohet me siguri mbi bazën e huazimeve për t’u shlyer sezonin e ardhshëm. Një formulë e nevojshme për të respektuar bilancin, duke garantuar një rritje graduale të xhiros.
FILOZOFI KINEZE – Këto pika janë të nevojshme për të lexuar negociatat e nisura. Në filozofinë e familjes Zhang, për shembull, investimet te të rinjtë cilësorë janë shumë më të pëlqyer se operacionet për lojtarë të pjekur. E di mirë Roberto Mançini, i cili nuk u kënaq për të stazhonuarin Jaja Ture dhe nuk e mori mirë.
Në të njëjtën mënyrë tani Konte ka këmbëngulur vetëm deri në njëfarë pike për Vidalin, i cili tani është 32 vjeç. Trajneri e di që kiliani mund t’i nevojitet skuadrës, por Barcelona kërkon 20 milionë për ta lënë të lirë dhe zikaltrit nuk duan të shkojnë përtej huazimit. Pra, kandidatura në fjalë momentalisht është pezull, ndërsa vëmendja është e drejtuar te 19-vjeçari suedez Dejan Kulusevski, i huazuar te Parma.
Drejtuesit e Interit janë përballur me temën me drejtuesit e Atalantës, që zotëron kartonin dhe është telefonuar edhe nga Juventusi dhe Mançester Junajtid. Vlera e mesfushorit prek tashmë 40 milionët. Dhe tek Interi e dinë mirë se duhet të veprojnë me shpejtësi. Normalisht gjithçka është shtyrë për vitin e ardhshëm, edhe duke u nisur nga deklaratat e Daniele Faxhanos, drejtorit sportiv të Parmës (“në janar nuk largohet”).
EDHE NË TË MAJTË – Si alternativë qëndron kandidatura e Rodrigo De Paul, por dialogu me Udinezen për argjentinasin nuk është i lehtë. Bardhezinjtë duhet të shpejtojnë situatën në klasifikim, vështirë se do të privohen nga talenti më i çmuar dhe, në çdo rast, e vlerësojnë te rreth 40 milionë eurot. Shumë për momentin e cilësuar e tepruar në ambientet interiste. Duke qëndruar te latinët, gjatë këtyre ditëve Auzilio është takuar edhe me Simonianin, menaxherin e mesfushorit Kristian Ferreira, 20 vjeç, “xhevahir” i River Plejtit.