✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI
Ekipi i Vllaznisë kryeson kampionatin pas 11 javësh të sezonit 2025-26, shkodranët në kuotën e 23 pikëve mbajnë vendin e parë. Pavarësisht se të njëjtën kuotë pikësh ka edhe Elbasani, verdheblutë ndodhen në vendin e dytë. Kjo si pasojë e golavarazhit më të mirë të kuqebluve e po ashtu fitores 1-0 në ndeshjen direkte. Faktorë që momentalisht bëjnë diferencën për liderin e Superiores së Shqipërisë.
Por, ka pasur një arsye kryesore deri në këtë pikë të edicionit që Vllaznia kryeson kampionatin dhe është një ndër pretendentet kryesore për fitimin e titullit kampion. Ajo është fitorja e të gjitha takimeve shtëpiake deri më tani në javën e 11-të sezonit. Shkodranët nuk kanë “falur” askënd në “Loro Boriçi”, duke e shndërruar impiantin historik të futbollit tonë në një “fortesë” të pakalueshme për ekipet vizitore. Ku “viktima” e fundit e 9 herë kampionëve ishte Dinamo, e cila u mposht në Shkodër në raundin e 11-të të kampionatit me rezultatin 1-0.
Teorikisht kryeqytetasit ishin edhe prova e “fundit” e fortë e Vllaznisë në shtëpi. Ku më parë kuqeblutë kishin mposhtur edhe ekipet rivale të këtij sezoni, Egnatian me rezultatin 2-0 dhe Elbasanin me shifrat 1-0. Teksa në shtëpi kanë triumfuar edhe përballë kundërshtarëve historikë si Partizani me rezultatin 4-1 dhe Tirana me rezultatin 3-1. E në Shkodër nuk ka “shpëtuar” as Vora që ka marrë një disfatë me rezultatin 2-0.
Kështu shkodranët nga 23 pikë që kanë total në kampionat, 18 prej tyre i kanë marrë në ndeshjet si pritës. Duke marrë 6 fitore në 6 takime të zhvilluara në “Loro Boriçi”, e duke qenë kështu perfektë përsa i përket ndeshjeve shtëpiake. Ku kuqeblutë po ashtu kanë shënuar 13 herë në portat kundërshtare e kanë pësuar vetëm 2 gola në 6 duele. Shifra me të vërtetë për rekord për skuadrën e drejtuar nga Martini, ku ende nuk është shfaqur një ekip këtë sezon që të vërë në vështirësi Vllazninë në shtëpinë e saj apo qoftë edhe të “rrëmbejë” një pikë në “Loro Boriçi”.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”







