Koreja e Jugut ka vendosur një rekord në futboll. Aty janë regjistruar penalltitë më të gjata në botë, prej nga duhej përcaktuar fituesi i sfidës, meqë kjo nuk u arrit në kohën e rregullt dhe shtesën e ndeshjes.
Përballë ishin Yongin Taesung FC dhe Cheongju Daesung, që diskutonin mes tyre çerekfinalen e kampionatit kombëtar të arsimit të mesëm (gjimnazeve).
Situata e krijuar ishte surreale. Me rezultatin 29-28 nga pika e bardhë fitoi Yongin Taesung, pas 62 penalltive të ekzekutuara. Dhe të mendosh se prej këtij numri kaq të lartë 11-metërshash, vetëm pesë prej tyre u humbën. U deshën më shumë se 50 minuta goditje penalltish, derisa njëra skuadër të fitonte.
Në fakt, Federata Koreane e Futbollit (APK), siç njoftohet nga “Mysemuanyabola”, po planifikon të aplikojë në FIFA për ta regjistruar zyrtarisht këtë rekord, si ekzekutimin më të gjatë të penalltive. Rekordi, gjithmonë sipas “Mysemuanyabola”, i përket një ndeshjeje të luajtur në Republikën Çeke, në të cilën janë ekzekutuar 48 penallti./telesport/