Shumë gola, shumë emocione ka dhuruar sfida e prapambetur e javës së 26-të të kampionatit të 19 vjeçarëve për grupin A, ajo në mes AAS dhe Internacional e luajtur pasditen e djeshme në fushën sportive “Hasaj”.
Ekipi shkodran ka fituar me rezultatin 4-3 dhe “heroi” i tij në këtë përballje ka qenë sulmuesi Mehdi Çoba që i ka realizuar të katër golat dhe në këtë mënyrë i ka dhënë një trepikësh me shumë vlerë ekipit të tij.
Ndeshja ka nisur me gol teksa Çoba ka shënuar që në minutën e 6-të dhe pastaj me anë të një 11-metërshi i ka dyfishuar shifrat në minutën e 12-të. Por Internacional nuk u pajtua me këtë disavantazh të shpejtë dhe arrin të barazojë rezultatin pas dy golave të shënuar nga Bishaj dhe Blakcori në minutat 20 dhe 23.
Megjithatë pjesa e parë do të mbyllej me avantazhin e vendasve që në minutën e 37-të do të shënonin edhe golin e tretë me anë të sulmuesit të tyre kryesor, Çobës. Internacional arriti të barazonte shifrat në minutën e 60-të me anë të Bernacës dhe u duk se takimi do të shkonte drejt barazimit por në minutën e 88-të ka qenë Çoba ai që ka shpëtuar AAS duke shënuar golin e katërt, njëkohësisht të fitores për të.
Përfundimisht 4-3 dhe me këtë fitore AAS është ngjitur në kuotën e 33 pikëve dhe mban vendin e katërt në renditje, çka do të thotë se po përmbyll një sezon mjaft të suksesshëm.
© shkodrasport.com