Uli Hoeness këtë fundjavë ka bërë me zemër 300 tifozë të një “fan club”-i të Bayern-it, duke deklaruar se trajneri Jupp Heynckes mund të qëndrojë edhe një vit tjetër në Mynih dhe se klubi në verën e ardhshme mund të paguajë deri në 70 milionë euro për blerjen e një ylli të klasit botëror. “Sivjet kemi kaluar Krishtlindje të qeta. Kemi qenë të shqetësuar se nuk do t’i arrinim objektivat, por tani jemi mirë.

Na u desh të merrnim disa vendime të ashpra pas natës së Parisit (Bayern u mposht 3-0, shënim i redaktorit) dhe nuk duam të vuajmë më. Me mikun tim Heynckes kemi bërë një goditje të madhe. Ai nuk është vetëm një trajner i jashtëzakonshëm, por edhe një pedagog, psikolog, filantrop, pra i ka të gjitha”, – është shprehur presidenti.
Meqë tifozët bavarezë kanë këmbëngulur që Don Jupp duhet të rinovojë kontratën, Hoeness është shtyrë të flasë edhe më lirshëm. “Jeni 300 veta pro dhe zero kundër. Ky është rezultati zyrtar, apo jo? Do i them se ky grup tifozësh ka vendosur që ai të qëndrojë. Të shohim se çfarë do të thotë”.
I pyetur për merkaton, Hoeness ka theksuar se Bayern nuk do të veprojë kurrë ashtu si PSG-ja apo Manchester City. “Ne nuk kemi në gjendje të paguanim 222 milionë euro për një lojtar si Neymar. Unë nuk e quaj një blerje të mirë, ndryshe nga Kylian Mbappe, për të cilin mendoj se është një investim i mirë kur paguan 180 milionë euro. Sidoqoftë, mund të blejmë ndonjë lojtar për 50, 60 apo 70 milionë euro”.EDS