Është vendosur një ultimatum për klubet e Superiores, por ende s’ka asnjë zhvillim sa i përket datës 31 korrik e cila përkon me ditën që Federata Shqiptare e Futbollit do të publikojë listën e skuadrave që licencohen për sezonin e ri.

Vetëm disa ekipe i plotësojnë kushtet për të garuar dhe kësisoj rrezikohet shumë edicioni i ri futbollistik. Megjithatë duket se në FSHF kanë një plan për sezonin e ardhshëm. Luftëtari dhe Skënderbeu duken se janë në kolaps total.

Gjirokastritët tashmë kanë mbetur edhe pa president pasi Tavo u largua zyrtarisht ditën e djeshme nga drejtimi i bluzinjve. Ndërsa te Skënderbeu përjashtimi nga Europa ka fundosur korçarët të cilët tashmë duken të dorëzuar.

Veç kësaj gjoba prej 1 milionë eurosh rëndon shumë arkat e klubit dhe në këtë mënyrë bardhekuqtë bëhen bashkë me Luftëtarin si klubet më me shumë borxhe.

Disa zëra bëjnë me dije që FSHF po mendon që të ruajë garën duke përjashtuar dy klubet e mësipërme me zbritjen e tyre nga kategoria dhe rikthimin e Besës e Dinamos në elitë.

Si verdhezinjtë ashtu edhe kryeqytetasit kanë probleme me infrastrukturën, megjithatë gjithçka pritet të marrë formë zyrtare në ditët e ardhshme./newsport/