Vllaznia ka marrë tre ditë më parë të parin lojtar në merkaton e janarit, pikërisht kosovarin Albion Avdijaj. Ka qenë një kërkesë e trajnerit Brdariç për ta patur në skuadër këtë njohje të vjetër të tij, që është aprovuar nga drejtuesit e klubit dhe për rrjedhojë kalimi i tij tek kuqeblutë është një realitet.

Ndërkohë, komentatori dhe menaxheri i njohur Kosta Grillo gjatë një lidhje me emisionin “Fax Sport” ka folur edhe për një takim mes trajnerit aktual të Vllaznisë dhe ish- sulmuesit të Tiranës kohë më parë.

“Kam qenë rastësisht në tavolinë kur trajneri Brdariç e ka takuar Albion Avdijajn. Më bëri përshtypje sepse ata ishin shumë të njohur me njëri-tjetrin. Bëhet fjalë për një takim që ka ndodhur para një muaji.

Dhe në fakt në atë takim nuk u fol për një kalim të mundshëm të tij tek Vllaznia, por thjesht e takoi si një të njohur Avdijajn që nga periudha kur kishin qenë bashkë në Gjermani. Folën gjermanisht me njëri-tjetrin dhe i pashë që ishin shumë të dashur në marëdhënien mes tyre.

Kishin një afrimitet shumë të madh bashkë. Nga sa kuptova, Avdijaj nuk ishte aspak i kënaqur me Tiranën dhe ishte në atë valën që do të largohej nga kjo skuadër. Pikërisht prej kësaj njohje duket se ka ardhur tashmë edhe kjo “martesë” tashmë e këtij lojtari me Vllazninë”- ka thënë ai./SHKODRA-SPORT.COM/