Shkruar nga Gjergj KOLA
Në historinë e futbollit shkodran ka pasur shumë lojtarë që kanë lënë gjurmë. Disa me golat e shënuar, të tjerë me pritjet e bëra, ndërhyrjet vendimtare, grintën, karakterin dhe shumë cilësi të tjera. Ka pasur edhe prej atyre që kanë hyrë në histori për numrin e madh të ndeshjeve të luajtura me fanellën kuqeblu.
Njëri prej tyre është ish-mesfushori Amarildo Belisha, i cili ka zhvilluar mbi 300 ndeshje në kampionat, saktësisht 314 ndeshje me fanellën e Vllaznisë, një arritje që pak futbollistë e kanë realizuar. Ndalemi sot te ky personalitet sepse feston ditëlindjen. Ai mbush 45 vjeç dhe, me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe të gjithë lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Belisha ka lindur në Shkodër më 11 korrik 1981 dhe shumë shpejt u angazhua me futbollin. Ai ishte pjesë e ekipeve zinxhir të Vllaznisë dhe, në sezonin 1998–1999, u shpall kampion i Shqipërisë me ekipin e të rinjve, së bashku me futbollistë të tjerë si Gasper Ndoja, Edmond Doçi, Admir Teli, Albert Kaçi etj., nën drejtimin e trajnerit Ismet Hoxha.
Një vit më vonë iu bashkua ekipit të parë të Vllaznisë, me të cilin, në sezonin 2000–2001, përjetoi për herë të parë emocionin e fitimit të titullit kampion, që mbetet edhe titulli i fundit kampion i skuadrës shkodrane deri më sot. Karriera e tij vazhdoi edhe për 15 vite të tjera, duke u dalluar për cilësitë dhe kontributin e tij si futbollist.
Belisha debutoi me Vllazninë më 15 maj 1999, kur u aktivizua në pjesën e dytë të ndeshjes që skuadra shkodrane luajti ndaj Lushnjës në transfertë dhe e fitoi me rezultatin 2–1.
Ndeshja e fundit me fanellën kuqeblu ishte ajo e zhvilluar në Shkodër më 10 maj 2014 ndaj Teutës, takim i fituar nga skuadra mike me rezultatin 3–1. Me atë ndeshje u mbyll edhe karriera e tij si futbollist i Vllaznisë, në moshën 33-vjeçare.
Gjatë karrierës së tij, Belisha luajti për dy sezone (2006–2008) me Besën dhe për gjysmën e sezonit 2009–2010 me Flamurtarin. Pjesën tjetër të karrierës e kaloi te Vllaznia, ku la gjurmë me paraqitjet dhe përkushtimin e tij.
Pas lënies së futbollit të luajtur, ai punoi për një periudhë si trajner pranë Akademisë Vllaznia. Më pas pranë shoqatës “The Door” dhe tashmë është rikthyer sërish tek Akademia Vllaznia, por njëkohësisht ushtron me sukses profesionin e mësuesit të edukimit fizik.
“Kujtimi për këta kampionë është mënyra më e mirë për të nderuar historinë e sportit shkodran.”
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


