Vazhdon kaosi në futbollin evropian pas “bombës” së Superligës së 12 klubeve. UEFA duket se do të bëjë një tjetër hap së shpejti duke i shkuar deri në fund kërcënimeve të saj për përjashtim nga aktivitetet. Shumë tifozë kanë kërkuar që klubet të cilat kanë ideuar një turne të tillë të pasurish, duhet të ndëshkohen e si rrjedhojë, edhe UEFA mund të ndërmarrë masa drastike, ndonëse do të gjendet përballë një beteje të pazakontë ligjore.

Sipas “Sky Sport”, Komiteti Ekzekutiv i saj do të mblidhet këtë të premte të diskutojë këtë temë dhe të përcaktojë nëse masa drastike duhet marrë që në këtë edicion. Ideja e organizatës është të vendoset nëse duhet të përjashtojë që tani Mançester Sitin, Çelsin dhe Real Madrid nga Liga e Kampioneve si dhe Mançester Junajtid e Arsenalin nga Liga e Europës, duke mos i lejuar që të luajnë gjysmëfinalet e turneve, si dhe t’u heqin të drejtën e shpërblimit financiar për edicionin aktual.

Paralelisht me këtë, duket se edhe Ligat e ndryshme po bëhen gati të marrin vendime drastike ndaj ideatorëve të këtij plani. Sot është zhvilluar një mbledhje e parë informale me telekonferencë mes drejtuesve të skuadrave të Serisë A dhe të pranishëm ishin edhe tre “separatistët”:

Juventus, Milan dhe Inter. Të tre këto skuadra kanë bërë të ditur në këtë mbledhje se kanë dëshirë që të vazhdojnë të jenë pjesë e Serisë A. Ndërkohë, Liga u ka përsëritur atyre qëndrimin që kishin në bashkëpunim me UEFA-n se nuk do të pranonin pjesëmarrjen nga këto klube në aktivitete të tjera të palicencuara. /vipsport/