Nuk kanë munguar surprizat në javën e dytë të Superiores, ku e vetmja skuadër që ka marrë tri pikët ishte Kukësi, ndërsa në katër sfidat e tjera, si për ironi të fatit, gjithçka është mbyllur në barazim 1-1. Edhe në këtë javë nuk ka munguar analiza e Shkëlqim Muçës, i pranishëm në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH.
Kukësi, skuadër e organizuar – “Kukësi është shfaqur një skuadër e organizuar, ka bërë një fazë përgatitore të mirë është e kolauduar. Kastrioti është me vonesë, një skuadër e shpërfytyruar në fushën e lojës. Nuk është akoma skuadër. Kukësi është i qartë, ka pak problem me agresivitetin në sulm, por është një skuadër e organizuar në lojë. Këto dy ndeshje i kanë dhënë optimizëm”.
Barazimi i Dinamos – “Një ndeshje e pëlqyeshme. Laçi ishte më mirë në krahasim me ndeshjen e parë, Dinamo akoma nuk është e kolauduar mirë. Mendoj se barazimi është rezultati më i drejtë, pavarësisht momentet që kishte loja. Sot, jo vetëm Dinamo, por asnjë ekip tjetër nuk mund të evidentohet se mund të dalë kampion”.
Barazimi në “Loro Boriçi” – “Teuta në pjesën e parë luajti me personalitet, taktikisht mirë, por duhet të tregohej më e guximshme. Vllaznia të lejon të luash, të lejon hapësira. Teuta kontrollonte lojën, por nuk ishte agresive në sulm.
Më pas, me prishjen e ekuilibrave, Vllaznia duhet ta kishte mbyllur sfidën, por futbolli i tillë është. Mendoj se Teuta ka marrë një pikë, për mënyrën se si shkoi ndeshja, Kallaku duhet të jetë më i përfshirë, po e shikojmë rrallë, luan me episode”.
Partizani e kontrolloi lojën, por… “Me atë që pamë në fushë, Partizani bëri një ndeshje të mirë, e kontrolloi lojën, por problem I madh është finalizimi. Është një skuadër që nuk prodhon shumë raste, nuk sulmon nga krahët, nuk është as cinike në ato pak raste që krijon”.
Sulmi i Tiranës – “Tirana nuk më pëlqeu në këtë ndeshje, sulmi nuk ishte kombinativ, me përjashtim të Seferit që ishte i lëvizshëm. Ngo nuk ishte në ditën e tij. Në mesfushë nuk ka lojtarë që mund të marrin lojën në dorë. Edhe fusha ku luhet, nuk është në favorin e skuadrës”.







