Skuadra e Teutës ka gjetur shumë shpejt zëvendësuesin ideal të Pepi Gjorgiev i cili u largua nga durrsakët pas pjesës së parë të sezonit. Në radhët e kampionëve në fuqi është kthyer përsëri një futbollist i cili ishte pjesë e kësaj skuadre në edicionet e kaluara, shkodrani Rubin Hebaj.
Futbollisti ka qenë pjesë e Shkëndijës së Tetovës që nga janari i viti të kaluar dhe me kuqezinjtë fitoi titullin kampion në Maqedoninë e Veriut. Por pas kësaj eksperience, teksa nuk gjente hapësirat që dëshironte në sezonin aktual, Hebaj ka bërë prapakthehu, duke iu bashkuar përsëri durrsakëve.
![]()
Panorama Sport mëson se palët kanë gjetur akordin duke firmosur një kontratë për një vit e gjysmë, ndërsa Hebaj ka dalë menjëherë në stërvitje sot nën urdhrat e stafit teknik të durrsakëve. Nesër do të bëhet edhe prezantimi i tij zyrtar si përforcimi i skuadrës për pjesën e dytë të sezonit.
Ndërkohë, pjesë e skuadrës durrsake për vijimin e sezonit do të jetë edhe Jurgen Goxhaj. Mbrojtësi ka mbyllur kontratën e tij në Azerbajxhan dhe do të vazhdojë karrierën me durrsakët, pas eksperiencave të mëparshme në Superiore me Tiranën e Bylisin.







