Kategoria e Parë zhvilloi ditën e djeshme ndeshjet e rradhës për raundin e tetë. Kështu, në Lezhë, Besëlidhja u ndal në barazim 1-1 me Burrelin. Lezhjanët, për të cilët luajnë edhe dy shkodranët kapiteni Klejdi Dibra dhe Samet Hepaj, bënë një hap fals në shtëpi, duke lënë dy pikë në garën e kampionatit të Kategorisë së Parë.
Sfida u hap nga Burreli me Kryemadhin që shënoi në fundin e pjesës së parë, më konkretisht në minutën e 41-të, por në pjesën e dytë, Arthur barazoi për vendasit menjëherë në startin e saj, teksa goditja e brazilianit përfundoi në rrjetë.
Në fund të ndeshjes, Besëlidhja do të kishte shansin e artë për të marrë fitoren në këtë përballje, por Danaj tregohet i pasaktë nga pika e 11-metërshit, duke e humbur atë. Ndërkohë, vlen të theksohet se ka pasur edhe momente tensioni gjatë takimit, teksa u dhanë edhe tre kartonë të kuq, një për lezhjanët dhe dy të tjerë për matjanët.
Megjithatë, pas këtij barazimi, Besëlidhja renditet në vendin e nëntë me nëntë pikë në tabelën e klasifikimit, teksa ndeshjen e rradhës do ta luajë ndaj Tomorit në transfertë. /Maringlen ZHIVANI/
Besëlidhja-Burreli 1-1
Formacioni i Besëlidhjes (4-4-2): Demi, Metaliaj, Arthur, Dibra, Veseli, Gjikolaj, Hepaj, Bruka, Përgjoni, Icaro, Shehu (u aktivizuan: Marku, Danaj, Gjoka)