Kampionati anglez do të fillojë me një surprizë, pasi klubi i Ullvërhempton ka ndryshuar trajner vetëm 3 ditë para startit të Premer Ligës. Julen Lopetegui, ka vendosur të mos drejtojë këtë skuadër në sezonin e ri, pasi nuk ka qenë dakord me vendimet që kanë marrë së fundmi drejtuesit.
Tekniku spanjoll kishte shprehur publikisht pakënaqësitë e tij rreth merkatos që ishte bërë nga klubi, me lojtarët më të mirë të larguar dhe pak investime për afrimin e futbollistëve të tjerë cilësorë, duke prishur dukshëm marrëdhëniet me bordin. Ai bëri mrekullinë në sezonin e kaluar, kur mori drejtimin e skuadrës në nëntor, teksa gjendej në fundin e tabelës dhe ia doli që t’i siguronte mbijetesën.
Kontrata e tij ishte më e kushtueshmja në historinë e klubit të Ullvërhempton dhe “divorci” mes palëve mendohet se ka çuar një shumë me shtatë shifra në llogarinë e tij bankare si pjesë e marrëveshjes për mbylljen e saj para kohe.
Tani pritet që vendin e Lopeteguit ta marrë Geri O’Nill, i cili gjithashtu bëri një mrekulli teksa siguroi mbijetesën e Bornmuth, por u shkarkua në qershor pas mbarimit të kampionatit.