Vllaznia në basketboll për meshkuj e ka nisur me fitore kampionatin. Në ndeshjen e parë të tij, atë ndaj Flamurtarit të luajtur pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, basketbollistët shkodranë kanë fituar me rezultatin 99-70.
Gjithçka ka qenë e lehtë për ta, përballë një kundërshtari përgjithësisht të lehtë. Takimi ka nisur me epërsinë e vendasve të cilët e mbyllin periodën e parë me shifrat 23-17. Epërsia ka ardhur duke u rritur në periodën e dytë që u fitua me shifrat 29-18.
Si rrjedhojë Vllaznia ka shkuar në pushimin e ndeshjes me një diferencë prej 17 pikësh. Kjo ka qenë e mjaftueshme për të kontrolluar gjithçka në fushë dhe madje i dha mundësinë trajnerit Llazani të aktivizonte dhe lojtarët e rinj.
Në dy periodat e fundit sërish e njëjta histori. E treta do të mbyllej 28-19 ndërsa e katërta 19-16 dhe në këtë mënyrë i gjithë takimi do të përfundonte me rezultatin e përgjithshëm 99-70.
Pikëshënuesi më i mirë për ekipin shkodran ka qenë basketbollisti Bryant me 23 pikë të shënuara, ndërkohë që kanë spikatur dhe të rinjtë Sead Kopliku me 9 pikë të shënuara dhe Aron Kruja me 8 pikë.(www.shkodrasport.com)















