Specialisti i njohur i futbollit Sulejman Starova e ka vlerësuar shumë startin e kampionatit nga ekipi i Vllaznisë. Ai po ashtu ka vlerësuar merkaton e zhvilluar, por edhe përsërimin e lojës të kuqebluve në disa aspekte. Një analizë të tillë ai e ka bërë gjatë emisionit “Skaner” ku është shprehur:
“E kemi thënë që nga fillimi se Vllaznia ka lëvizur mirë në merkato. Ka marrë lojtarë të rëndësishëm, duke filluar nga Kallaku, prezenca e të cilit në skuadër i ka dhënë një mundësi më të madhe të shprehet Malës i cili ka qenë dhe vjet edhe sivjet një nga pikat kryesore të skuadrës.
Po ashtu kanë ardhur edhe Murataj, pavarësisht se është i dëmtuar, po ashtu edhe Kastrati dhe bashkë edhe me Balajn, janë lojtarë me kualitet. Ajo që dua të veçoj në krahasim me skuadrën e një sezoni më parë, dua të them se këtë vit kemi një Vllazni më kompakte.
Ardhja e Gjinit është shumë positive, Bajami po rritet nga ndeshja në ndeshje, Gurishta ka atë eksperiencën e tij e po ashtu edhe Yago, japin më shumë siguri skuadrën në prapavijë dhe prandaj Vllaznia deri më tani po bën diferencën me ekipet e tjera. Ajo ka shënuar 15 gola dhe ky është një tregues i futbollit sulmues që po aplikon.
Sigurisht që ka edhe oshilacione dhe Akoma nuk është perfekte sepse Tirana e vuri shumë në vështirësi në 10-15 minutat e para. E përsëris, Vllaznia është e fortë në fazë sulmuese, por edhe në atë defensive, janë tregues të një skuadre që shkon drejt titullit. Sigurisht në një garë me dy kundërshtarë që janë shumë serizë si Egnatia dhe Dinamo”- është shprehur Starova.(www.shkodrasport.com)







