Skënderbeu U19 po bën paraqitje shumë të mira në “UEFA Youth League” ku së fundi barazoi 1-1 me anglezët e Aston Villa, por në Shkodër ka hasur në një pengesë shumë të madhe, atë që e ka emrin Vllazni. Kjo e fundit ka fituar sot në përballjen direkte me rezultatin e ngushtë 1-0.

Takimi i planifikuar për t’u ditën e djeshme por që u shty për shkak të reshjeve të shiut, është luajtur mesditën e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe është fituar nga kuqeblutë e drejtuar nga Ndriçim Shtubina me rezultatin e ngushtë 1-0.

Ka qenë Gerison Zhuri ai që ka shënuar të vetmin gol të kësaj ndeshje pikërisht në minutën e 25-të teksa është treguar i saktë nga pika e 11-metërshit. Shkodranët do ta kishin më të lehtë për të administruar avantazhin më pas sepse dy minuta para fundit të pjesës së parë do të ndëshkohej me karton të kuq Ossong për miqtë.

Në pjesën e dytë pavarësisht përpjekjeve të kundërshtarit nuk ka patur gola të tjerë dhe i gjithë takimi është mbyllur me këtë rezultat. Vllaznia U19 në këtë mënyrë ka marrë një fitore me shumë vlerë e cila e ka ngjitur në kuotën e 9 pikëve dhe tashmë është i pozicionuar në vendin e pestë në renditje.(www.shkodrasport.com)