Nga Maringlen ZHIVANI
Ndeshja mes Burrelit dhe Lushnjës ka rezultuar një duel i fortë për të dy ekipet, që përfundoi në barazim, rezultat që sipas administratorit të klubit matjan, Marjan Lleshaj, pasqyron realisht atë që ndodhi në fushë.
“Ishte një ndeshje e vështirë, pavarësisht se luajtëm në fushën tonë. E prisnim një përballje të tillë dhe, megjithëse kishim dëshirë ta fitonim, barazimi ishte rezultati më i drejtë. U krijuan pak raste, si nga ne ashtu edhe nga Lushnja, dhe më shumë ishte një ndeshje për të mos u humbur sesa për t’u fituar,” – u shpreh Lleshaj.
Administratori i Burrelit theksoi gjithashtu se skuadra është ndikuar nga lodhja dhe kalendari i ngjeshur.
“Kemi ardhur nga dy transferta të vështira: ajo në Fier, ku morëm maksimumin, dhe ajo me Laçin, ku humbja e thellë ndikoi psikologjikisht. Brenda 10 ditëve kemi luajtur tre ndeshje dhe kalendari nuk na ka favorizuar,” – shtoi ai.
Në lidhje me ndeshjen e radhës, Lleshaj e sheh me respekt kundërshtarin:
“Na pret një transfertë e vështirë ndaj Ilirisë, një skuadër që po kalon një ecuri pozitive si në shtëpi, ashtu edhe jashtë. Do ta vlerësojmë maksimalisht dhe do të futemi në fushë për të dhënë gjithçka.”
Situata me dëmtimet është një tjetër shqetësim për stafin teknik.
“Kemi tre lojtarë kyç të dëmtuar, por shpresoj që deri në fundjavë t’i kemi në dispozicion. Ne do të japim maksimumin në çdo ndeshje, pa u marrë me aleanca si disa ekipe të tjera,” – theksoi ai.
Në fund, Lleshaj nuk i kurseu kritikat ndaj arbitrimit, duke e cilësuar Burrelin si një prej skuadrave më të penalizuara.
“Është e vërtetë ajo që thuhet edhe nga Iliria, kampionati është i vështirë, por ne po luajmë drejt dhe ndershmërisht. Fatkeqësisht, Burreli është penalizuar nga disa arbitra dhe delegatë që ju ka mbaruar ora. Kanë dëmtuar gjysmën e stafit tonë dhe s’e di pse na shohin si ‘delen e zezë’. Megjithatë, ne do të vazhdojmë të luftojmë me dinjitet deri në fund,” – përfundoi administratori i klubit matjan.







