✍️ Shkruar nga Gjergj KOLA
Historia e boksit në Shkodër padyshim që është e artë për periudhën pas rilindjes së tij dhe në sukseset e shumta të arritura kanë pasur kontributin e tyre një numër i madh personazhesh. Njëri prej tyre që ka luajtur një rol të rëndësishëm, mbi të gjitha për dokumentimin e tyre, ka qenë edhe Liman Kulla.
Po ndalemi sot te kjo figurë, sepse kjo ditë përkon me 87-vjetorin e lindjes së tij, dhe padyshim që ky është momenti më i mirë për ta kujtuar dhe nderuar profesor Limanin.
Ai ka lindur në Shkodër më 7 nëntor 1938, dhe në moshën 16-vjeçare do të niste të merrej me pasionin e tij të madh – boksin. Pikërisht në vitin 1954 do të zhvillonte ndeshjen e tij të parë në ringun e improvizuar në stadiumin “Vojo Kushi”.
Do të vazhdonte të merrej me këtë sport edhe për disa vite të tjera, duke qenë ndër më të suksesshmit në vend, teksa punonte fort çdo ditë në stërvitje nën drejtimin e trajnerit Shyqyri Halili.
Deri në vitin 1956 do të përfaqësonte Vllazninë, dhe më pas do të kalonte te Partizani. Pas rifillimit të boksit në vendin tonë, ai, së bashku me disa veteranë të tjerë të boksit, do të ishin nismëtarët e ringritjes së këtij sporti në Shkodër.
Do të ndihmonte në trajnimin e trajnerëve dhe sportistëve të ndryshëm për vite me radhë, ndërkohë që për shumë vite me radhë ka qenë edhe anëtar i kryesisë së Federatës Shqiptare të Boksit, duke dhënë një kontribut shumë të madh në rritjen e nivelit të këtij sporti.
Liman Kulla ka dhënë një kontribut të madh edhe në shkrimin e historisë së sportit të boksit, duke evidentuar ashtu si duhet sportistët dhe trajnerët e njohur që kanë ndihmuar për të shkruar emrin e artë në këtë sport burrëror.
Ai është ndarë nga jeta më 24 dhjetor 2019, në moshën 81-vjeçare, duke lënë pas shumë kujtime, dhe kjo padyshim që është diçka fantastike, sepse sporti i boksit është në Shkodër ai që është, edhe falë kontributit të Liman Kullës.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”







