✍️ Shkruar nga Gjergj KOLA
Mbrëmjen e sotme për kombëtaren shqiptare ka ardhur një lajm shumë i mirë. Futbollisti shkodran Oliver Blini ka lënë Italinë dhe i është bashkuar kombëtares shqiptare. Emri i tij figuron në listën e kombëtares U19, e publikuar nga FSHF për dy ndeshjet kualifikuese ndaj Sllovakisë dhe Malit të Zi.
Kujtojmë që Blini, i datëlindjes 2008 është me origjinë nga Shkodra, të cilët kanë emigruar herët në Itali dhe Oliveri ka lindur atje. Ai është bërë herët pjesë e Akademisë së Empolit, me të cilën vazhdon të luajë sërish, këtë herë me ekipin U20 të saj.
Oliver Blini fillimisht në moshën 14 vjeçare zgjodhi të luante për kombëtaren U15 të Shqipërisë dhe menjëherë spikati me lojën dhe golat e tij. Por në vitin 2022 kaloi tek Italia. Fillimisht me kombëtaren U15 të saj, e më pas me ato U16 dhe U17. Në total 38 ndeshje me ekipet kombëtare teksa ka shënuar 17 gola.
Por që prej ditës së sotme rikthehet sërish tek Shqipëria, me të cilën luajti dy ndeshje dhe shënoi dy gola në vitin 2022 kur ishte pjesë e kombëtares U15 të saj. Tashmë do të jetë pjesë e kombëtares U19 dhe do ta nisë menjëherë nga ndeshjet kualifikuese të Europianit.
Për rikthimin e tij tek fanella kuqezi padyshim që një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe familja e tij dhe veçanërisht i ati- Toma, i cili shpreson shumë që i biri të bëhet një element i rëndësishëm për të ardhmen e kombëtares shqiptare.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”








