Altin Xhahysa, ish-futbollist dhe ish-zëvendëstrajner i Vllaznisë ka dhënë një intervistë për “Panorama Sport”.xhahysaNë fjalët e tij ish-sulmuesi është ndalur te ecuria e shkodranëve në veçanti, duke vlerësuar performancën e skuadrës. Teksa thekson se arsyeja kryesore që e mbush me optimizëm janë ndeshjet ndaj rivalëve direktë, siç ishte edhe fitorja e fundit ndaj Dinamos.
Ndër të tjera Xhahysa nuk lë pa përmendur edhe grintën dhe luftën sportive që po shfaqin 9 herë kampionët e vendit në fushë. E gjithashtu ndan edhe një koment për polemikat e ditëve të fundit duke theksuar se këto janë pjesë e garës dhe emocioneve, por gjithmonë duke mos u tepruar.
Xhahysa, një tjetër fitore e Vllaznisë dhe kryesimi i kampionatit, duket se kuqeblutë po bindin apo jo?
Po, skuadra po bind dhe po arrin të fitojë, që është gjëja më e rëndësishme në futboll dhe sport. Gjithashtu, Vllaznia përveç lojës cilësore që ka zhvilluar, ka arritur të fitojë ndeshje ku ndoshta nuk ka luajtur edhe aq mirë. Kjo tregon për cilësinë e disa futbollistëve aty, që dinë të zgjidhin situata edhe kur skuadra nuk është në momentin më të mirë. Por, gjithashtu tregon dëshirën e madh të ekipit për fitore, i cili duket i “uritur” në çdo moment.
U duk se skuadra u tërhoq disi në pjesën e dytë ndaj Dinamos?
Ajo është një tërheqje natyrale e skuadrës dhe ata që kanë luajtur futboll e kuptojnë mirë. Kjo pasi je në avantazh dhe vetvetiu futbollistët janë më të kujdesshëm për të mos pësuar gol, prandaj duket se edhe ekipi e priti kundërshtarin. Nuk besoj se ishte udhëzim nga Martini apo stafi teknik që skuadra të qëndronte mbrapa. Megjithatë ekipi u mbrojt mirë e po ashtu portieri ishte në nivelin e duhur në rastet që iu paraqitën Dinamos gjatë pjesës së dytë.
Çfarë ka ndryshuar te kjo skuadër në krahasim me sezonet e shkuara?
E përmenda edhe pak më sipër, skuadra ka zemër, ka karakter, ka grintë dhe dëshirë. Këto janë elementë që janë “injektuar” futbollistëve, të cilët në sezonet e shkuara kishin munguar disi. Prandaj këto po bëjnë ndryshimin e besoj se janë përçuar nga Martini e Sinani, si dy djem shkodranë dhe kampionë me Vllazninë. Por, do të thosha edhe cilësia e futbollistëve është më e mirë se sezonet e shkuara. Dhe këtu duhet vlerësuar presidenca që ka sjellë në Shkodër futbollistë që arrijnë të bëjnë diferencën.
Është ky niveli më i mirë i Vllaznisë apo mund të presim akoma më shumë?
Unë them se duhet të presim akoma më tepër nga skuadra. Kjo pasi po vijnë në formën ideale Kallaku e Murataj, i cili u ndal nga një dëmtim së fundmi. Kastrati tashmë është futur totalisht në ritmin e duhur dhe ndoshta ka qenë futbollisti i më i mirë i javëve të fundit. Teksa ende s’kemi parë siç duhet Bismark, një sulmues potent dhe prandaj them se ende kemi për të parë nga Vllaznia dhe personalisht pres akoma më shumë nga skuadra.
Sa i bën mirë apo “dëm” skuadrës ky pushim në këto momente?
Mund të them se ka dy faqe kjo pjesë, e para ndoshta pushimi nuk duhet sepse ul ritmin disi të ekipit. Dhe po ashtu momentin e mirë që po kalon skuadra, që duhet shfrytëzuar në maksimum. Por, po ashtu shërben që futbollistët të rikuperojnë forcat e po ashtu të kthehen të dëmtuarit. E në këtë mënyrë skuadra do të jetë më e plotësuar dhe e freskët deri në fundin e vitit ku do të ketë një shumicë ndeshjesh për t’u luajtur.
Është ky viti i duhur për të sjellë titullin në Shkodër pas 25 vitesh?
Jam shumë optimist dhe këtë pozitivitet ma japin fitoret dhe performancat ndaj kundërshtarëve direktë. Siç ishte edhe kësaj radhe ndaj Dinamos, ku Vllaznia doli fitimtare e prandaj them se kam shumë besim. Sepse ndaj rivalëve Vllaznia po e tregon absolutisht veten e ky duhet të jetë sezoni i duhur që titulli të kthehet. Besoj se ka ardhur momenti që Shkodra të gëzojë sërish.
Si mund të fitohet titulli, duke qenë se vetë jeni një kampion me fanellën e Vllaznisë?
Formulën e dinë ata që janë aty (qesh). Por, vetëm me përqendrim, mos nënvlerësim të asnjë situate dhe pa eufori. Kështu shkon drejt titullit kampion. E këto cilësi kjo Vllazni i ka sepse skuadra më duket e përqendruar vetëm në fushë dhe larg fjalëve të shumta dhe medias.
Në fund, një koment për polemikat në aksin Shkodër-Tiranë me Dinamon?
Futbolli ka emocione, ke replika e kjo e bën edhe të bukur. Janë thjesht momentale them sepse nuk besoj të ketë gjëra personale mes drejtuesve të skuadrave. Megjithatë këto kalojnë e çdo gjë duhet të jetë gjithmonë në kufijtë e “fair play” dhe respektit.







