✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI
Një transfertë e vështirë e pret Vllazninë në javën e 12-të të Superiores, me shkodranët që do vizitojnë Partizanin në Tiranë. Dhe pavarësisht formës jo pozitive që po kalojnë të kuqtë këtë edicion, ata sërish ngelin një kundërshtar i fortë dhe që imponon respekt. Kjo edhe për vetë historikun e përballjes mes dy skuadrave, që shpesh në përballjet e tyre kanë dhuruar ndeshje që kanë ngelur në memorien e shumë kujt dhe që kanë shënjuar edhe kampionatin shqiptar.
Po ashtu edhe kësaj rradhe nuk pritet të jetë aspak e lehtë për djemtë e Martinit, me këtë të fundit që i ka dhënë një vlerësim maksimal këtij dueli. Pasi edhe statistikat e 5 ndeshjeve të fundit në kryeqytet tregojnë për një avantazh të Partizanit në takimet direkte me Vllazninë. Kështu 17 herë kampionët e vendit tonë kanë marrë 3 fitore si pritës në 5 ndeshjet e fundit ndaj shkodranëve. Kjo me fitoren 2-0 të sezonit të shkuar, 2024-25, e po ashtu me dy sukseset 4-1 në edicionin 2023-24 dhe 2-1 në atë 2022-23.
Teksa një sfidë në kryeqytet është mbyllur me rezultatin 0-0 dhe kjo vlen për javën e 30-të të sezonit 2023-24. Fitorja e vetme e Vllaznisë në 5 vizitat e fundit në kryeqytet shënohet në sezonin e shkuar, ku në javën e parë të edicionit kuqeblutë fitonin 0-1 në Tiranë përballë Partizanit.
Duke iu falur një goli të shënuar nga Rejan Alivoda në minutën e 31-të të takimit. Ky mbetet edhe suksesi i vetëm në vizitat e fundit në kryeqytet ndaj Partizanit, kundërshtar ndaj të cilit Vllaznia do kërkojë të përmirësojë statistikat këtë të dielë në përballjen e javës së 12-të të Superiores.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”







