Kanë kaluar plot tetë vite nga fitorja e fundit e Teutës në kampionat ndaj Vllaznisë në Shkodër. Ishte viti 2017 kur Çyrbja firmosi me golin e tij triumfin 0-1, një prej momenteve të fundit të suksesit në “Loro Boriçi” që durrsakët e kujtojnë ende.

Që atëherë, çdo vizitë në Shkodër ka sjellë zhgënjim, ndeshje të forta dhe rezultate që kanë mbetur larg pritshmërive. Tani, Teuta shkon sërish në veri me synim të qartë, thyerjen e këtij “tersi” që ka zgjatur më shumë se ç’duhej. Atmosfera në kampin durrsak është ndryshe nga vitet e fundit. Skuadra duket më e kristalizuar, më e fortë psikologjikisht dhe e ndërgjegjshme për vështirësinë e sfidës, por edhe për mundësinë që ajo paraqet. Përgatitjet e javës kanë qenë të fokusuara në dy drejtime: menaxhimin e presionit dhe kontrollin e ritmit të lojës.

Trajneri ka kërkuar maturi, qetësi në qarkullimin e topit dhe saktësi në momente të caktuara, të cilat në ndeshje të tilla bëjnë diferencën. Në aspektin e grupit, lajmet janë pozitive dhe nxisin optimizëm real. Ardit Toli rikthehet pas pezullimit, një shtyllë e rëndësishme në mesfushën blu. Lojtari ka kryer gjithë seancat e fundit pa pengesa dhe pritet të marrë drejtimin e repartit, duke u bërë pikë referimi, sidomos në bllokimin e aksioneve kundërshtare dhe në nisjen e kundërsulmeve.

Ndërkohë, rikuperimi i plotë i Vidal sjell një dimension të ri në lojën e Teutës. Me aftësinë e tij për të përshpejtuar aksionet dhe për të gjetur pasime mes linjave, ai mund të jetë arma kryesore për të befasuar mbrojtjen shkodrane. Stërvitjet e fundit e kanë treguar në formë optimale, çka ka rritur edhe më shumë konkurrencën brenda skuadrës. Ky kombinim rikthimesh i jep trajnerit më shumë alternativa taktike. Ai mund të vendosë një mesfushë më agresive, më të balancuar ose më kreative, në varësi të mënyrës se si do të hyjë ndeshja.

Në çdo rast, Teuta shkon në Shkodër me një plan të qartë. Të luftojë për çdo top, të mos i lërë hapësira Vllaznisë dhe të provojë të marrë pikë në një stadium ku zakonisht kanë bërë mirë. Në Durrës e kuptojnë se ndeshja nuk është thjesht për tri pikë. Është çështje prestigji, statistike dhe morali. Thyerja e “mallkimit” do të ishte një mesazh i fortë për kundërshtarët dhe një injeksion shprese për gjithë ambientin blu, që beson se këtë sezon Teuta mund të bëjë diçka më shumë.

Me lojtarët e rikthyer, me përqendrim maksimal dhe me ambicie të qarta, durrsakët kërkojnë të shkruajnë një kapitull të ri në historinë e përballjeve në Shkodër. Pas tetë vitesh pritje, është koha që Teuta të kërkojë atë që i ka munguar më shumë. Një fitore që mund të jetë po aq e vështirë sa e vlefshme.