✍️ Shkruar nga Maringlen ZHIVANI

Vllaznia U19 nuk ia doli ndaj Genoas, por sfida mbetet një eksperiencë me shumë vlera për futbollistët shkodranë. Pavarësisht rezultatit, skuadra tregoi personalitet dhe momente shumë pozitive përballë një rivali të nivelit të lartë. Në këtë ndeshje spikatën disa prej talentëve kuqeblu, të cilët lanë përshtypje pozitive me paraqitjen e tyre.

Mesfushori i avancuar Amer Kthupi, sulmuesi i djathtë Simon Uldedaj dhe sulmuesi i majtë Sokol Uldedaj u veçuan si lojtarët më në formë, duke u dalluar dukshëm nga pjesa tjetër e grupit me qartësinë në lojë dhe vendosmërinë e tyre në duele.

Për t’u vlerësuar ishte sidomos Simon Uldedaj, i cili ishte futbollisti më i saktë dhe më konstant në fushë, duke dhënë një performancë shumë premtuese.

Momente të mira pati edhe sulmuesi Xhesild Kapllanaj, i cili krijoi rrezik dhe u aktivizua mirë në fazën sulmuese. Një test i vlefshëm ky dhe një hap tjetër i rëndësishëm në rritjen e të rinjve kuqeblu.