Tuesday, January 27, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORENdeshjet në transfertë problematike, Vllaznia ka fituar vetëm një herë

Ndeshjet në transfertë problematike, Vllaznia ka fituar vetëm një herë

✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI

Përveç rezultateve që nuk kanë qenë aty ku duhet dhe pretendojnë tek Vllaznia edhe loja e shkodranëve ka zhgënjyer në javët e fundit. Me skuadrën kuqeblu që duket se është “tjetërsuar” në krahasim me atë çfarë pamë dhe çfarë dhuroi në fazën e parë të Superiores. Ku nga shumë kush kuqeblutë u cilësuan si ekipi më simpatik dhe që dhuronte futbollin më të bukur në kampionat. Megjithatë shumëçka ka ndryshuar në 5-6 javët e fundit, ku niveli i shfaqur në fushë nga kuqeblutë ka rëndë ndjeshëm.

E kjo u vërtetua edhe në ndeshjen e fundit të humbur 1-0 kundër Elbasanit, pavarësisht se loja e Vllaznisë u kushtëzua ndoshta edhe nga dalja me karton të kuq e Gjinit që në gjysmën e pjesës së parë. Dhe pavarësisht se kuqeblutë u munduan në fraksionin e dytë të lojës për të rrezikuar në portën e verdhebluve, ishin të pakta tentativat serioze në drejtim të portës së Janaçek. Me Vllazninë që nuk arriti të prodhonte rastet e zakonshme si jemi mësuar t’a shohim këtë edicion.

Teksa një lojë e tillë e 9 herë kampionëve të vendit ka disa javë që shfaqet dhe duket se momentalisht skuadra është në një krizë nga e cila nuk po arrin të dalë dhe reagojë. Jo vetëm për rezultatet, por edhe lojën që po paraqet e cila nuk jep optimizëm për duelet e ardhshme në kampionat. Ndërkohë ndeshjet jashtë fushe vijojnë të jenë një pikë e dobët e skuadrës dhe kjo vërtetohet nga transferta në transfertë për kuqeblutë.

Të cilët morën humbjen e 4-ët këtë sezon, ku 3 prej tyre kanë ardhur pikërisht në transferta larg Shkodrës. Me skuadrën e Martinit që ka vetëm një fitore jashtë fushës së saj, kundër Bylis në shifrat 0-1 në javën e 7-të të kampionatit. Teksa në 8 ndeshje të luajtura jashtë Shkodrës, duke llogaritur edhe atë me Vorën që u zhvillua në “Loro Boriçi”, kuqeblutë kanë marrë vetëm 7 pikë. Duke pasur poshtë vetëm skuadra si Flamurtari me 7 pikë dhe Bylis e Tirana me nga 5 pikë të grumbulluara në sfidat e zhvilluara në transfertë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments