Vllaznia u rikthye dje tek fitorja në kampionat teksa mundi me rezultatin 3-2 ekipin e Flamurtarit. Një ndeshje e luajtur në temperatura disi të ulëta, çka ka bërë që edhe numi i tifozëve në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” të jetë shumë i reduktuar.
Por një gjë e tillë nuk i ka penguar dy ish- futbollistë të Vllaznisë të jenë të pranishëm për ta mbështetur atë. Bëhet fjalë për Mevlan Adilin dhe Kevin Dodajn. Të dy ata kanë qenë të pranishëm në tribunën VIP duke mbështetur kuqeblutë dhe në fund janë gëzuar bashkë me të gjithë shkodranët e tjerë për fitoren e arritur.
Adili dhe Dodaj i kanë mbyllur ndeshjet për këtë vit me ekipet e Gjilanit dhe CSKA Sofje, pjesë e të cilëve ato janë dhe si rrjedhojë kanë shfrytëzuar ditët e pushimit për të ndjekur nga afër ish- skuadrën e tyre.
Dhe duket se kanë qenë këmbëmbarë sepse prania e tyre në stadium ka bërë që Vllaznia të rikthehet tek fitorja pas 6 javësh “thatësirë”. Adili e Dodaj vazhdojnë të jenë kuqeblu në mendje dhe zemër…


