Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Laçi ka marrë një goditje të rëndë gjatë ndeshjes së sotme të Kupës së Shqipërisë ndaj Bylisit, pasi në minutën e 20-të Xhoel Hajdari u detyrua të lërë fushën e lojës për shkak të një dëmtimi.
Mesfushori shkodran, i huazuar te Laçi nga Vllaznia, nuk arriti të vazhdojë takimin dhe u zëvendësua. Hajdari u largua nga stadiumi “Adush Muçaj” me ndihmën e stafit mjekësor, ndërsa gjendja e tij pritet të vlerësohet në vijim nga mjekët e klubit.
Dëmtimi i tij përbën një shqetësim shtesë për stafin teknik të Laçit dhe trajneri Naxhi Shensoj, duke pasur parasysh rolin e rëndësishëm që mesfushori ka pasur në repartin e mesfushës këtë sezon.
Në fakt, duhet thënë se mesfushori shkodran ka marrë minuta të konsiderueshme me Laçin këtë gjysëm të parë të sezonit dhe ndoshta huazimi i tij nga Vllaznia drejt klubit kurbinas ka qenë zgjedhja më e mirë e mundshme për të dy palët.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


