Anmar Al Haili, president i Al-Ittihad të Arabisë Saudite, vazhdon obsesionin për të firmosur me Leo Messin (më 2023 i kishte ofruar 400 milionë euro në vit). Ai e ka bërë sërish të qartë se paratë nuk do të ishin pengesë dhe se Messi do të mund të zgjidhte vetë pagën dhe kohëzgjatjen e kontratës: “Nëse Messi pranon të firmosë me Al-Ittihad, do t’i ofroja një kontratë ku mund të fitojë sa të dojë, për aq kohë sa të dojë, madje edhe përjetë”.
Al Haili konfirmoi kontaktet e mëparshme, kur Messi u largua nga PSG më 2023 dhe zgjodhi Inter Miami: “Po, e kontaktova më parë. I ofrova 1.4 miliardë euro. E refuzoi për të mirën e familjes, edhe pse e kisha bindur. Nuk hezitoi, sepse familja është më e rëndësishme se paratë. E respektoj, tek Al-Ittihad do t’i ketë gjithmonë dyert e hapura”.
Gjithsesi, Al-Ittihad dhe Superliga Saudite duket se do të duhet të presin. Në tetor 2025, Leo Messi (38 vjeç) rinovoi me Inter Miami deri në dhjetor 2028. “Ta kem Messin këtu nuk do të thoshte asgjë ekonomikisht për mua. Do ta fitonim ligën që para se të niste, sepse do të kishim lojtarin më të madh të historisë”, – theksoi Al Haili./telesport/


