Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Prej disa ditësh, Shiroka ka rifilluar proçesin stërvitor për gjysmën e dytë të sezonit 2025-2026. Përgatitjet kanë vijuar për fazën e dytë të edicionit në vazhdim, teksa poashtu një vëmendje e madhe i është përkushtuar edhe përforcimit të skuadrës me elementë të rëndësishëm.
Kështu, përveç emrave si Dreshaj dhe Kalaja, në fokus janë edhe elementë të tjerë. Këto elementë po shihen me interes dhe ndoshta së shpejti, mund të ketë zyrtarizime të tjera nga ana e KF Shirokës.
Megjithatë, një tjetër emër që i është bashkuar këtij ekipi në stërvitjen e ditëve të fundit që po zhvillohet në Durrës, është edhe mbrojtësi Gabriel Rroku, futbollist i dalë nga Akademia e Vllaznisë.
Ai e ka mbyllur tashmë aventurën e tij me Trepçën në Kosovë dhe po bëhet gati të firmosë për ekipin e Shirokës.
21-vjeçari aktivizohet në qendër të repartit të prapavijës, teksa me sa duket, ai pas aventurave me Burrelin në Kategorinë e Parë dhe Trepçën në Ligën e Parë të Kosovës, ka bindur drejtuesit për t’i ofruar një kontratë, e cila pritet të firmoset dhe të zyrtarizohet nga klubi në ditët në vijim.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


