Nga Maringlen ZHIVANI
Flavio Fusha nuk do të jetë më pjesë e Vllaznisë. Sulmuesi 17-vjeçar, një nga talentet më premtues të akademisë kuqeblu, ka mbyllur bashkëpunimin me klubin shkodran dhe do të vazhdojë karrierën te Besëlidhja.
Pavarësisht paraqitjeve të spikatura në grupmoshat e Vllaznisë dhe me ekipin B, ku është dalluar për gola, vazhdimësi dhe progres të dukshëm, Fusha nuk arriti të marrë një mundësi konkrete për t’u afruar me ekipin e parë. Kjo situatë ka çuar palët drejt ndarjes, me sulmuesin që ka zgjedhur një ambient të ri për të vazhduar zhvillimin e tij.
I gjatë 1.94 metra dhe me profil tipik “9-sh”, Fusha konsiderohet një lojtar me perspektivë, ndërsa te Besëlidhja pritet të ketë më shumë hapësira dhe minuta për të shfaqur potencialin e tij.
Largimi i tij rihap edhe një herë diskutimin mbi menaxhimin e talenteve të akademisë te Vllaznia dhe kalimin e tyre drejt skuadrës A.


