Shkruar nga Endri ÇINARI
Ardit Krymi po konfirmohet gjithnjë e më shumë si shtylla kryesore e mesfushës së Vllaznisë. Mesfushori shkatërrues i kuqebluve ishte edhe njëherë protagonist absolut në sfidën ndaj Dinamos, ku skuadra shkodrane triumfoi me rezultatin 0-2, duke zhvilluar një ndeshje solide dhe të balancuar në çdo repart.
Në një takim ku Vllaznia rrezikoi shumë pak në portën e saj dhe nuk pësoi gol, përveç linjës mbrojtëse, një meritë të jashtëzakonshme kishte edhe 29-vjeçari Krymi. Ai ishte filtri kryesor përpara mbrojtjes, duke mbyllur hapësirat dhe duke mos i dhënë asnjë moment qetësie kundërshtarit në ndërtimin e lojës.
I palodhur për 90 minuta, Krymi theu thuajse çdo aksion të Dinamos, duke fituar duele, duke ndërprerë pasime dhe duke rikuperuar topa në zonat kyçe të fushës. Për futbollistët kundërshtarë, ai u shndërrua në një “makth” të vërtetë, gjithmonë një hap përpara dhe gjithmonë i saktë në ndërhyrje.
Përveç aspektit mbrojtës, Krymi tregoi edhe qartësi në qarkullimin e topit, duke ndihmuar Vllazninë të ruajë ekuilibrin dhe të menaxhojë ritmin e lojës. Prezenca e tij i jep siguri gjithë skuadrës, duke bërë që repartet të funksionojnë në harmoni dhe me besim.
Me këto paraqitje konstante, Ardit Krymi konfirmohet si një futbollist i pazëvendësueshëm për Vllazninë dhe, pa dyshim, një nga më të mirët në rolin e tij në Superiore. Performanca ndaj Dinamos ishte një tjetër dëshmi se mesfusha kuqeblu ka një lider të vërtetë, i cili po udhëheq ekipin drejt objektivave të mëdha këtë sezon.


