Friday, January 23, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREPërballjet direkte, Vllaznia bën diferencën me ekipet e kreut

Përballjet direkte, Vllaznia bën diferencën me ekipet e kreut

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia po konfirmon hap pas hapi se sezoni 2025-26 është ndërtuar për objektiva madhorë. Kuqeblutë kanë treguar forcë, pjekuri dhe personalitet në përballjet direkte me rivalët kryesorë për titullin kampion, duke dhënë sinjale të qarta se janë gati të rikthehen fuqishëm në fronin e futbollit shqiptar. Statistikat flasin qartë në favor të 9 herë kampionëve të vendit, të cilët në ndeshjet kyçe kanë ditur të bëjnë diferencën.

Një nga provat më të forta për skuadrën shkodrane ka ardhur ndaj Egnatias, një prej kundërshtarëve më seriozë në garën për titull. Në tre përballje direkte këtë sezon, Vllaznia ka dalë e pamposhtur, duke regjistruar dy fitore dhe një barazim. Fitorja 2-0 në një nga ndeshjet e para dha tonin e duhur, ndërsa barazimi spektakolar 2-2 në fazën e dytë tregoi karakterin e skuadrës edhe në momentet e vështira. Në fazën e tretë, kuqeblutë vulosën epërsinë me një tjetër sukses minimal, 1-0, por mjaft domethënës për vazhdimësinë e sezonit.

Edhe përballjet me Dinamon kanë qenë një test i rëndësishëm për ambiciet e Vllaznisë. Ndonëse në fazën e parë shkodranët u mposhtën 3-1 nga blutë, reagimi ishte i menjëhershëm dhe bindës. Në fazën e dytë, Vllaznia triumfoi 1-0, duke treguar rritje të dukshme në lojë dhe organizim. Ndërsa në fazën e tretë, fitorja 0-2 në transfertë konfirmoi qartë epërsinë e kuqeblueve ndaj kryeqytetasve dhe rikthimin e balancave në favor të tyre.

Përballjet me Elbasanin paraqesin deri tani një bilanc të ekuilibruar për Vllazninë. Në fazën e parë, shkodranët arritën një fitore të rëndësishme 1-0, duke shfrytëzuar maksimalisht faktorin fushë. Ndërsa në transfertë, kuqeblutë u ndalën me të njëjtin rezultat, 1-0, në një ndeshje të luftuar, ku detajet bënë diferencën. Megjithatë, edhe kjo përballje dëshmon se Vllaznia është konkurruese në çdo stadium dhe ndaj çdo rivali.

Në tërësi, statistikat ndaj rivalëve direktë për titull janë më shumë se pozitive për Vllazninë. Dy fitore ndaj Egnatias, dy suksese ndaj Dinamos dhe një bilanc i barabartë me Elbasanin flasin për një skuadër që di të menaxhojë ndeshjet e mëdha. Ky është një tregues i qartë i stabilitetit dhe i mentalitetit fitues që po ndërtohet nën drejtimin e stafit teknik.

Forma aktuale dhe rezultatet në ndeshjet direkte e bëjnë Vllazninë një pretendente serioze për titullin kampion. Kuqeblutë jo vetëm që po mbledhin pikë të rëndësishme, por po dërgojnë edhe mesazhe të forta rivalëve: rruga drejt titullit kalon nga Shkodra. Nëse kjo vazhdimësi ruhet edhe në javët në vijim, sezoni 2025-26 mund të shndërrohet në një kapitull historik për klubin dhe tifozërinë kuqeblu.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments