Ish-mesfushori i Vllaznisë, Uliks Kotrri ka humbur një njeri tepër të shtrenjtë. Me anë të një njoftimi në rrjetet sociale, Kotrri ka lajmëruar miq dhe të afërm se babai i tij, Nasiri, nuk jeton më. Ai është ndarë nga jeta pasditen e sotme në moshën 91 vjeçare.
Shkodrani nuk kursen fjalët prekëse për të atin, duke e falënderuar. Ndër të tjera, Uliks Kotrri i jep “premtimin” babait të tij, duke thënë se nuk do ta harrojë sa të jetë gjallë.
“Lamtumirë babai im. Faleminderit për çdo gjë që më ke dhënë në këtë jetë. Do jesh i paharruar sa të jem gjallë”, shkruan ish-futbollisti i Vllaznisë në profilin e tij në “Facebook”.
Kujtojmë që edhe Nasiri ka qenë për disa vite pjesë e sportit sepse ka punuar si përgjegjës i terreneve sportive pranë Klubit Vllaznia dhe më pas lidhja me këtë fushë u bë edhe më e madhe ngaqë Uliks zgjodhi të merrej me futboll duke luajtur me sukses me disa ekipe, duke përfshirë këtu edhe kombëtaren shqiptare.
Gazeta “Shkodra Sport” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Uliks Kotrrit për humbjen e njeriut të tij të dashur.


