Saturday, February 7, 2026
FAQJA E PARE BASKETBOLLREAGON SHOQATA E BASKETBOLLIT VLLAZNIA: Stop presioneve të Federatës, ndeshja me Tiranën...

REAGON SHOQATA E BASKETBOLLIT VLLAZNIA: Stop presioneve të Federatës, ndeshja me Tiranën do luhet!

Shoqata e Basketbollit Vllaznia shpreh indinjatën e saj ndaj reagimeve dhe presioneve të Federatës Shqiptare të Basketbollit, të cilat fatkeqësisht duken më shumë si përpjekje për të plotësuar dëshirat e ekipit të Tiranës, sesa për të garantuar zhvillimin normal dhe të drejtë të garave sportive.

Informojmë publikun se në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” sistemi i ri i tabelës elektronike dhe 24-sekondëshi i ri kanë shfaqur një problem teknik, i konstatuar që në ndeshjen ndaj Kamza Basket. Falë përkushtimit të stafit të pallatit, është vënë në funksion sistemi pararendës, duke bërë të mundur zhvillimin normal të ndeshjeve.

Sistemi i ri është një investim shumë i kushtueshëm, i krahasueshëm me buxhetin sezonal të një ekipi mesatar në Shqipëri. Që në momentin e parë kemi kontaktuar kompaninë përkatëse, e cila ndodhet në ambientet e pallatit duke punuar për zgjidhjen përfundimtare të problemit.

Theksojmë se 4 ndeshje zyrtare janë zhvilluar me pajisjet e vjetra pa asnjë problem apo ankesë nga arbitrat dhe delegatët. Për këtë arsye, çdo insinuatë apo kërcënim për mbyllje ndeshjeje “në tavolinë” me rezultat 20-0 është i papranueshëm dhe cenon frymën sportive.

Rikujtojmë Federatën se para dy vitesh, në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala”, u has një problem i ngjashëm teknik dhe u theksua qartë parimi se ndeshjet fitohen në fushë dhe jo në tavolinë. Presim që i njëjti parim të zbatohet edhe sot.

Shoqata e Basketbollit Vllaznia mbetet e përkushtuar ndaj rregullave dhe sportivitetit, por nuk do të pranojë trajtim të pabarabartë apo presione selektive.

Basketbolli fitohet në fushë. Jo në tavolinë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments