Paraditen e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi” është luajtur një ndeshje shumë interesante e kampionatit të 15 vjeçarëve të Kategorisë Superiore në mes Vllaznisë vendase dhe Partizanit e cila ka nxjerrë në fund fitues kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Valdano Nimani.
Në fakt kanë qenë futbollistët miq ata të cilët kaluan të parët në avantazh me anë të futbollistit Baci që në minutën e 7-të. Ky gol i Partizanit U15 tregonte se sfida do të ishte shumë e fortë. Vendasit ndërkohë nuk kënaqen me disavantazhin dhe si rrjedhojë hidhen në sulm për të barazuar.
Ia dalin me anë të futbollistit Aldis Kjasi që do ta dërgonte topin në rrjetën e portës së kuqe në minutën e 28-të dhe si rrjedhojë pjesa e parë e kësaj ndeshje do të mbyllej në shifrat e barabarta 1-1.
Në të dytën ka shumë përpjekj nga të dy ekipet për të shënuar golin e fitores, por ai do të vononte shumë për të ardhur. Dhe do t’i takonte Vllaznia U15 për t’u shënuar dhe për ta fituar ndeshjen. Do të ishte sërish Kjasi ai që në minutat shtesë të ndeshjes do të shënonte edhe golin e dytë, atë që do t’i jepte tre pikë shumë të vlefshme për skuadrën e tij.
Përfundimisht 2-1 për ekipin shkodran që me këtë fitore ngjitet në kuotën e 26 pikëve dhe kalon Partizanin në renditje duke u renditur tashmë në vendin e tretë të klasikimit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”



