Paraqitja e Ernest Muçit në ndeshjen ndaj Samsunspor ka sjellë vlerësime të shumta për futbollistin e Kombëtares shqiptare. Ai dha asist, ishte protagonist te goli i dytë e në fund fitoi dhe e shënoi penalltinë për rezultatin 3-0 të ndeshjes.
Ndaj edhe ish-futbollisti i njohur turk, Erman Ozgur, në komentet e tij pas sfidës në një studio televizive, nuk ka kursyer elozhet për lojtarin. Tashmë në rolin e opinionistit, ish-futbollisti i cili në karrierë ka veshur edhe fanellën e Trabzonsporit, ka theksuar se Muçi është ai që bën diferencën dhe mund t’i sjellë sukses këtij klubi edhe në aspektin ekonomik.
“Ne kemi parë një recital të mirëfilltë të Muçit. Për shembull, nëse Trabzonspor do të blinte Muçin nga Beshiktashi këtë sezon dhe ta shiste atë për 20-25 milionë euro, unë nuk do të çuditesha aspak nëse gjërat vazhdojnë kështu. E kam fjalën a nuk vlen aq ky lojtar? Meqë ra fjala, sa është shifra e klauzolës? 7 milionë? Duhet të jetë diçka e tillë. Beshiktashi e bleu për 11 milionë, ishte transferimi më i shtrenjtë në historinë e tyre kur mbërriti. Tani nëse Trabzonspori e blen për 8 milionë dhe e shet për 20 milionë, unë nuk do të çuditesha, pasi ai ka bërë një diferencë të pabesueshme”, tha ish-futbollisti duke treguar se Muçi vlen më shumë se sa vlera aktuale e kartonit të tij.
“Për shembull, edhe nëse thuhet se ai nuk bën shumë gjëra, ai ka dribluar kundërshtarë, është munduar t’i mposhtë në një kundër një, ka dhënë asiste fantastike, pasime kyçe të shkëlqyera, ka tentuar gjuajtje… Ai e shkaktoi dhe e shënoi penalltinë. Gjë që i jep një shans që të shkojë në Kupën e Botës me Shqipërinë.
Përpara se të niste emisioni, po diskutonim dhe u tha se Onuaçu ishte ylli i ndeshjes sepse shënoi 2 gola. Unë thashë “Jo, Muçi!”. Po, Onuaçu është një sulmues special, e bëri punën. Një nga golat që ai shënoi, ishte me asist nga Muçi. Një tjetër u kthye nga VAR, mund të ishte një asist tjetër për Muçin. Ndaj ne kemi parë një recital të Muçit. Në opinionin tim, Muçi është ylli i ndeshjes. Nëse Trabzonspori po kthehet nga një ndeshje e vështirë jashtë fushe ndaj Samsunspor me një fitore 3-0, mendoj se është kryesisht meritë e Muçit”, tha ish-futbollisti i njohur turk.


