Saga që për ditë me radhë tronditi futbollin saudit dhe atë botëror ka marrë fund. Cristiano Ronaldo i ka dhënë fund protestës së tij dhe është rikthyer në aktivitet me skuadrën e Al-Nassr, pasi klubi u dorëzua ndaj presionit të yllit portugez dhe shlyeu të gjitha detyrimet financiare të prapambetura.
Sipas mediave portugeze, të gjithë punonjësit dhe bashkëpunëtorët e Al-Nassr kanë marrë pagat e vonuara në orët e fundit, çka ishte një nga arsyet kryesore të pakënaqësisë së Ronaldos. Me këtë veprim, kriza u mbyll dhe, në mënyrë figurative, “tymi i bardhë” u ngrit mbi Riad.
Megjithatë, pavarësisht rikthimit në stërvitje, Ronaldo nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e së mërkurës në Ligën e Kampionëve Aziatikë 2 kundër Arkadag në Turkmenistan. Rikthimi i tij në fushë pritet të ndodhë të shtunën, kur Al-Nassr do të përballet me Al Fateh në kuadër të Ligës Profesionale Saudite.
Përveç mosmarrëveshjeve me Fondin e Investimeve Publike (PIF), të lidhura me atë që Ronaldo e konsideron trajtim të pabarabartë të klubeve kryesore saudite, protesta e tij kishte edhe një dimension të fortë social.
Kapiteni i Kombëtares së Portugalisë kërkoi zgjidhje urgjente për vonesat e pagave të punonjësve të klubit, raporton e përditshmja portugeze A Bola.
Pikërisht ky aspekt rezultoi vendimtar. Me shlyerjen e borxheve ndaj stafit, Al-Nassr përmbushi një nga kushtet kryesore të Ronaldos, ndërsa gjesti i tij i solidaritetit forcoi edhe më shumë autoritetin dhe respektin ndaj tij brenda klubit.
Një zhvillim tjetër i rëndësishëm lidhet me strukturën drejtuese. Pas bisedimeve me Ronaldon, Jose Semedo dhe Simao Coutinho, drejtuesit portugezë të Al-Nassr, rifituan kompetencat që u ishin hequr në fund të dhjetorit, duke qenë më herët të përjashtuar nga proceset e afatit kalimtar të dimrit.
Edhe pse tifozët presin me padurim rikthimin e tij në fushë, Ronaldo dhe klubi kanë vendosur të mos nxitojnë. Qëllimi është një rikthim i plotë dhe në formën maksimale në ndeshjet e ardhshme të kampionatit. /Telegrafi/


