Dinamo fitoi në fushë ndaj Tiranës, por jashtë saj plasën “fishekzjarrët”. Menjëherë pas përfundimit të derbit të Kupës në stadiumin “Selman Stërmasi”, Bernard Berisha u kthye në protagonist absolut të një incidenti që ka tronditur ambientin blu.
Sulmuesi, i ardhur me shumë bujë gjatë merkatos së verës, doli i irrituar nga dhomat e zhveshjeve dhe në korridor u përball me presidentin Adrian Bardhi dhe drejtorin sportiv Ermal Barushi. Ajo që nisi si një bisedë, shumë shpejt u ndez, me tonet që u rritën ndjeshëm.
I tërbuar nga situata, Berisha përplasi në mënyrë demonstrative çantën e tij dhe u largua duke bërtitur, ndërsa pas tij u vu menjëherë drejtori Barushi. Momente tensioni që alarmuan edhe policinë e pranishme në stadium, me uniformat blu që u afruan duke menduar se mund të kishte një përshkallëzim të përplasjes.
Në fund, futbollisti u largua nga impianti, ndërsa drejtuesit u rikthyen në dhomat e zhveshjeve. Presidenti Bardhi qëndroi për disa minuta me skuadrën, përpara se të linte stadiumin.
Një episod i rëndë që rrezikon të njollosë festën e fitores së parë në derbi. Sipas burimeve të pakonfirmuara, në qendër të shpërthimit të Berishës ka qenë pakënaqësia për mosaktivizimin ndaj Tiranës.
Te Dinamo tashmë priten zhvillime…


