Saturday, February 14, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREYjet e Barcelonës revoltohen ndaj Flickut pas disfatës së pësuar nga Atletico...

Yjet e Barcelonës revoltohen ndaj Flickut pas disfatës së pësuar nga Atletico Madridi

Lojtarët e Barcelonës i kanë shprehur shqetësimet e tyre trajnerit Hansi Flick lidhur me taktikën e tij, pas humbjes së thellë 4-0 ndaj Atletico Madrid në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit.

Rezultati e lë skuadrën blaugrana përpara një misioni shumë të vështirë në prag të ndeshjes së kthimit në “Camp Nou” në mars, ndërsa lojtarët i kanë kërkuar trajnerit të bëjë ndryshime në sistemin e tij të lojës.

Sipas The Athletic, rezultati çoi në reflektime të thella në seancën stërvitore të ditës pasuese. Flick shprehu mendimin e tij dhe vuri në pikëpyetje mentalitetin dhe intensitetin e lojtarëve, ndërsa pati gjithashtu kritika edhe ndaj trajnerit.

Yjet e Barcelonës i kanë shprehur shqetësimet e tyre për taktikën, duke theksuar se mbrojtja me vijë të lartë “nuk ishte ideja më e mirë, pasi kushtet nuk ishin të përshtatshme për këtë, sipas tyre”.

Lojtarët mendojnë se është jashtëzakonisht e vështirë të zbatohet stili i tij kur mungojnë futbollistë kyç si Raphinha dhe Pedri.

Të dy lojtarët munguan në këtë përballje për shkak dëmtimi dhe u ndjenë shumë në skuadër.

Megjithëse lojtarët e Barcelonës nuk dëshirojnë të heqin dorë nga qasja e Flick, ata kërkojnë “më shumë pragmatizëm në ndeshjet kyçe dhe ndaj kundërshtarëve të caktuar, si dhe një përshtatje më të madhe me lojtarët në dispozicion”.

Flick foli për humbjen pas ndeshjes dhe pranoi se Barcelona mori një mësim nga Atletico.

“Nuk luajtëm shumë mirë në pjesën e parë si ekip. Kishte shumë distancë mes nesh. Nuk ushtruam presion siç donim. Në 45 minutat e para, apo edhe më shumë, morëm një mësim”.

“Ndonjëherë është mirë që kjo të ndodhë në momentin e duhur. Ndoshta sot ishte momenti i duhur. Unë jam ende krenar për ekipin tim, ndoshta jo për 45 minutat e para sot, por për gjithë sezonin”, kishte deklaruar gjermani./Telegrafi/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments