Friday, February 20, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREIsmet Hoxha: Mjafton të shohësh si festohen golat dhe e kupton frymën...

Ismet Hoxha: Mjafton të shohësh si festohen golat dhe e kupton frymën që ka sjellë Edi Martini te Vllaznia

Ismet Hoxha, një ndër emrat e njohur të futbollit shqiptar në vitet 1960-70, me aktivizimet e tij te Partizani e sidomos Vllaznia, ka folur së fundmi për “Panorama Sport”. Ish-sulmuesi ka analizuar për gazetën pikërisht kampionatin shqiptar deri më tani e në veçanti kuqeblutë.

Duke theksuar se ekipi është totalisht në rrugën e duhur, e me përqendrim e vlerësim maksimal do dijë të shkojë drejt titullit kampion. Ndër të tjera 77-vjeçari ndalet edhe tek trajneri Martini dhe ajo çfarë i ka sjellë kësaj Vllaznie. E po ashtu vlerëson Bekim Balajn për golat dhe lidershipin e tij me skuadrën kuqeblu.

Profesor, si e keni shikuar kampionatin shqiptar deri më tani dhe garën e tij?

Them se deri më tani ka qenë një kampionat goxha i ekuilibruar, siç jemi mësuar pak në këto vitet e fundit ka një barazi vlerash mes ekipesh. Pra, ka shumë pak diferenca mes tyre dhe ndeshjet zhvillohen shumë të forta. Ndoshta nuk e ka atë cilësinë dhe spektaklin që duam, por ka garën dhe grintën. E besoj se kjo i jep ngjyra interesante Superiores, ku do doja që në stadiume në gjithë vendin të kishte më shumë tifozë. Të cilët patjetër do ishin një “bonus” dhe shtysë për futbollistët në fushën e lojës.

Çfarë ka sjellë diçka ndryshe trajneri Martini, që s’ka qenë në vitet e mëparshme?

Ka sjellë grintën, dëshirën dhe dashurinë e një shkodrani për fanellën e Vllaznisë. Ndoshta kishte munguar disi kjo frymë në sezonet e shkuara. Shoh të gjithë të motivuar dhe asnjë të pakënaqur, ku edhe futbollistët që vijnë nga stoli japin gjithçka. Vetëm të shohësh si festohen golat, aty e kupton se çfarë ka sjellë Martini, i cili po ashtu arriti të menaxhonte edhe situata jo shumë pozitive, ku ndoshta ndonjë trajner tjetër do e kishte më të vështirë. Por, ai dhe pjesa tjetër e stafit e dinë se çfarë do thotë të përfaqësosh Vllazninë e këtë e kanë përçuar edhe tek futbollistët.

E besoni se ky është sezoni i duhur për të rikthyer titullin në Shkodër?

Patjetër që kam besim më shumë se asnjëherë, për gjitha arsyet që kam përmendur më sipër. Skuadra është e kompletuar dhe cilësore, ka treguar veten në ndeshje të forta dhe ka fituar. Them se ka ardhur momenti që kampionati të rikthehet në Shkodër pas 25 vitesh mungesë dhe pse jo edhe Kupa e Shqipërisë. Me skuadrën që mund të ripërsërisë suksesin tonë në vitin 1972 ku realizuam dopietë trofesh. Ia uroj me zemër titullin kampion Vllaznisë e Shkodrës, për këta tifozë të jashtëzakonshëm që jetojnë me ngjyrat kuqeblu.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments