Shkruar nga Gjergj KOLA
U fut në lojë në ’60 dhe i dha tjetër frymëmarrje manovrës sulmuese të skuadrës së tij Hearts dhe ajo jo vetëm arriti të barazonte rezultatin ndaj Dundee, por edhe të fitonte në fund me shifrat 2-1. Dhe protagonisti kryesor i këtij suksesi ishte pikërisht sulmuesi shkodran Sabah Kerjota.
Ai ka shënuar në minutën e 96-të duke i dhënë një trepikësh me shumë vlerë Hearts i cili me fitoren e sotme është ngjitur në kuotën e 12 pikëve dhe mban vendin e dytë në renditje pas Celtic në kampionatin skocez të futbollit.
Kerjota është vlerësuar maksimalisht për performancën e tij dhe jo më kot “Sofascore” e ka vlerësuar me notën 8.2 dhe është shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes.
Në këtë mënyrë 25 vjeçari shkodran i rritur tek Akademia Vllaznia tregon edhe njëherë tjetër se ky sezoni i tij i dytë në Skoci po e gjen atë më shumë protagonist. Titullar në disa prej ndeshjes, autor i një goli tashmë por edhe i një asisti të dhënë megjithatë talenti që ka ky djalë premton për të tjera supriza në ndeshjet e ardhshme.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


