Armando Cungu mund të rikthehet të drejtojë sërish të drejtojë në pankinë. Nga sa bëhet e ditur, trajneri i njohur shkodran konsiderohet një nga kandidatët kryesorë për pankinën e Flamurtarit.
Trajneri 53-vjeçar nga Shkodra ka një karrierë të gjatë në futbollin shqiptar, duke drejtuar skuadra si Vllaznia, Kukësi dhe Laçi. Cungu ka qenë edhe më parë në radarët e Idrizit, por bisedimet nuk u finalizuan. Tashmë emri i tij rikthehet sërish si një nga alternativat më serioze për pankinën kuqezi.
Kujtojmë që së fundi, Cungu i është përkushtruar më shumë punës së tij si pedagog, ndërsa së fundi ka marrë postin e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Megjithatë pasioni i tij për trajnimin mbetet i madh dhe si rrjedhojë nuk përjashtohet mundësia e rikthimit të tij sërish në pankinë.
Por shkodrani nuk pritet të jetë kandidati i vetëm. Kjo sepse në Vlorë pëlqehet shumë edhe Jeton Beqiri. Trajneri nga Maqedonia e Veriut e njeh mirë ambientin vlonjat, pasi ka qenë pjesë e stafit teknik të Flamurtarit si zëvendëstrajner në periudhën kur ekipi drejtohej nga Shpëtim Duro. Prania e tij në Vlorë pak ditë më parë ka shtuar zërat për një rikthim të mundshëm, megjithëse deri tani nuk ka asnjë konfirmim për takime me drejtuesit e klubit. Nga ana tjetër, raportohet se Beqiri është pranë një marrëveshjeje me Gjilanin.
Po ashtu kandidat është edhe Eqerem Memushi, një figurë e njohur e futbollit vlonjat dhe njohës i mirë i Kategorisë së Parë. Memushi drejtoi Flamurtarin në sezonin 2024-2025 dhe gëzon respekt të madh te tifozët kuqezi. Në karrierën e tij spikat fitimi i Kupës së Shqipërisë me Flamurtarin në vitin 2009, një nga sukseset më të rëndësishme të klubit në dekadat e fundit.


