Shkruar nga Endri ÇINARI
Në prag të javës së 25-të të kampionatit, Vllaznia po përgatitet për një transfertë delikate në Ballsh, aty ku e pret Bylis. Një përballje që në letër mund të duket e “lehtë” për kuqeblutë, por që në fushë pritet të jetë një betejë e fortë sportive, me shkodranët që synojnë të dalin me pikë të plota për të konsoliduar objektivat sezonalë.
Trajneri Edi Martini do të duhet të bëjë llogaritë pa tre titullarë të rëndësishëm. Mungesa e Bekim Balaj, Erdenis Gurishta dhe Lirim Kastrati, të cilët kanë plotësuar numrin e kartonëve, e detyron stafin teknik të rishikojë skemat dhe alternativat. Janë tre mungesa me peshë, sidomos për eksperiencën dhe stabilitetin që ofrojnë në repartet respektive.
Megjithatë, sinjalet nga kampi shkodran janë pozitivë. Kuqeblutë duken të përgatitur për sfidën ndaj mallakastriotëve dhe besimi nuk mungon. Porta pritet t’i besohet Pohls, i cili konsiderohet një pikë e fortë dhe garanci sigurie në momentet kyçe të takimit. Para tij, në repartin defensiv, priten emra si Gjini, Çelikoviç dhe Bajrami, të gatshëm për të mbajtur të paprekur katërkëndorin dhe për t’u përballur me presionin vendas.
Në mesfushë parashikohen ndryshime të rëndësishme. Krymi dhe Kallaku do të kenë një rol kyç në ndërtimin e lojës dhe balancimin e repartit, ndërsa Qato pritet t’u bashkohet për t’i dhënë më shumë dinamizëm dhe forcë fizike skuadrës. Në krahë, Mala djathtas dhe Jago majtas pritet të kompletojnë mesfushën, duke ofruar shpejtësi dhe depërtim në fazën sulmuese.
Në repartin ofensiv, përkrah Bismark, pritet të vendoset Dodaj, duke formuar një dyshe që synon të jetë vendimtare për fatet e takimit. Me mungesën e Balajt, përgjegjësia për golat bie mbi këtë tandem, që do të kërkojë të shfrytëzojë çdo hapësirë në mbrojtjen e Bylisit.
Transferta e Ballshit mbetet një provë karakteri për Vllazninë. Përtej mungesave, skuadra shkodrane ka treguar se di të reagojë në momente të vështira. Sfida ndaj Bylisit do të jetë një test i rëndësishëm për ambiciet e kuqebluve, që synojnë të kthehen nga Mallakastra me një rezultat pozitiv dhe me besim të shtuar për javët vendimtare të kampionatit.


