Wednesday, February 25, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORETre ndeshjet e rradhës, Vllaznia me një synim të qartë

Tre ndeshjet e rradhës, Vllaznia me një synim të qartë

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia ndodhet në një moment vendimtar të sezonit, teksa dy ndeshjet e radhës në kampionat do të mbyllin fazën e tretë. Kuqeblutë kanë përpara një kalendar të ngjeshur dhe sfidues, ku çdo pikë merr peshë të jashtëzakonshme në garën për objektivat sezonalë. Në Shkodër ka optimizëm, por edhe përqendrim maksimal, sepse gabimet në këtë fazë mund të kushtojnë shumë.

Të premten, shkodranët presin në “Loro Boriçi” rivalin historik, Tirana, në atë që konsiderohet “klasikja” e futbollit shqiptar. Një përballje që gjithmonë prodhon emocione të forta dhe që shkon përtej pikëve në renditje. Edhe pse bardheblutë ndodhen në fundin e tabelës, historia ka treguar se ndeshjet mes këtyre dy skuadrave nuk njohin favoritë të qartë. Vllaznia synon të shfrytëzojë faktorin fushë dhe mbështetjen e tifozëve për të hedhur një hap të rëndësishëm drejt objektivit në kampionat.

Pas kësaj sfide, fokusi zhvendoset në Kupë, aty ku Vllaznia do të luajë ndeshjen e kthimit të çerekfinales ndaj Bylisit në Shkodër. Fitorja 0-1 në Ballsh ka afruar ndjeshëm kualifikimin për në gjysmëfinale, por asgjë nuk është mbyllur përfundimisht. Kuqeblutë pritet të administrojnë avantazhin me kujdes dhe maturi, duke ditur se kompeticionet me eliminim direkt fshehin gjithmonë të papritura. Kalimi në turin tjetër do të ishte një tjetër dëshmi e ambicieve të këtij sezoni.

Në kampionat, pas Tiranës, Vllaznia do t’a mbyllë fazën e tretë në transfertë ndaj Flamurtarit në Vlorë. Edhe kjo sfidë paraqitet delikate, pavarësisht pozicionit të kundërshtarit në renditje. Përballjet jashtë fushe kërkojnë përqendrim maksimal dhe disiplinë taktike, elementë që stafi teknik ka kërkuar vazhdimisht nga skuadra në javët e fundit.

Përtej Kupës, për të besuarit e trajnerit Edi Martini objektivi është i qartë: dy fitore në kampionat për t’a mbyllur fazën me bilanc pozitiv dhe për të forcuar pozitat në renditje. Pa nënvlerësuar asnjë kundërshtar dhe me bindjen se në futbollin shqiptar nuk ka ndeshje të lehta, Vllaznia synon të tregojë pjekuri, vazhdimësi dhe mentalitet fitues në këtë sprint final të fazës së tretë.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments