Kalendari i javës së dytë të “Abissnet Superiore” ka vënë përballë njëri- tjetrit ekipet e Elbasanit dhe Vllaznisë. Ky takim është planifikuar të luhet të shtunën e ardhshme në ora 18:30 në stadiumin “Elbasan Arena”.
Por ndonëse konsiderohet një takim i rëndësishëm dhe i bukur për t’u parë, në shkallët e stadiumit të Elbasanit nuk do ketë tifozë për ta shijuar spektaklin që do të japin futbollistët e të dy ekipeve.
Kjo sepse fusha e Elbasanit është e dënuar nga Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Vendimi u pat marrë pas incidenteve të ndodhura në ndeshjen e fundit të sezonit të kaluar ndaj Tiranës duke e dënuar atë me 2 ndeshje pezullim. Kjo ndaj Vllaznisë është e para që atëherë dhe si rrjedhojë detyrimisht do të luhet pa tifozë.
Ja vendimi që pat marrë Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së në mbledhjen e tij të datës 11 maj:
“AF Elbasani, për dështim në garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes, duke lejuar hyrjen e personave të paautorizuar në fushën e lojës, si dhe për sjellje të gabuar të spektatorëve, të shoqëruar me hedhje sendesh në fushën e lojës dhe rrezikim të sigurisë së zyrtarëve të ndeshjes dhe lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të neneve 6/3/b, 8/1, 17/1, 17/2/a, 17/2/b dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 500.000 (pesëqind mijë) lekë, si dhe me zhvillimin e 2 (dy) ndeshjeve pa praninë e spektatorëve në stadiumin përkatës.
Zbatimi i masës disiplinore për zhvillimin e ndeshjeve pa spektatorë do të fillojë në sezonin sportiv 2026–2027″.


