Në prag të një tjetër “klasikeje” të futbol lit shqiptar, vëmendja është sërish e gjitha tek numri 9 i Vllaznisë, kapiteni dhe lideri ofensiv, Bekim Balaj. Në moshën 35- vjeçare, sulmuesi shkodran po zhvillon një nga sezonet më të mira të viteve të fundit, duke numëruar 12 gola deri më tani në edicionin 2025-26 të Superiores.
Pikërisht tek eksperienca dhe instinkti i tij i golit mbështeten shpresat më të mëdha të kuqebluve për sfidën e javës së 26-të ndaj Tiranës. Por përtej dëshirës dhe formës aktuale, janë statistikat ato që e bëjnë Balajn “kërcënimin” kryesor për bardheblutë. Që prej rikthimit të tij në kampionatin shqiptar në janar të vitit 2023, Balaj e ka kthyer Tiranën në kundërshtarin e tij të preferuar. Në 8 ndeshjet e fundit të kampionatit përballë kryeqytetasve, ai ka realizuar plot 10 gola, duke u shndërruar në një makth të vërtetë për mbrojtjen bardheblu.
Seria nisi në edicionin 2023-24, kur në fazën e dytë realizoi golin e fitores 0-1 për Vllazninë. Në fazën e tretë të po atij sezoni, sulmuesi shkëlqeu me dy gola në suksesin 3-1 në “Loro Boriçi”. Tradita vijoi edhe në sezonin 2024-25, ku Balaj ishte protagonist absolut: tre dopieta ndaj Tiranës – në barazimin 2-2 në Shkodër, në spektaklin 3-4 në transfertë dhe në fitoren 2-1 sërish në “Loro Boriçi”. Një dominim personal që vulosi raportin e tij special me këtë përballje. Edhe këtë sezon, në javën e 8-të, Balaj gjeti rrugën e rrjetës në triumfin 3-1 të Vllaznisë ndaj Tiranës, duke konfirmuar se bardheblutë mbeten “territori” i preferuar i shtatlartit. Në përballjen më të fundit mes Tiranës dhe Vllaznisë, e vlefshme për javën e 17-të të sezonit 2025-26, sfida u mbyll në barazim 1-1.
Të dy golat erdhën nga pika e bardhë: fillimisht realizoi Freitas për Tiranën, ndërsa Balaj u tregua i saktë nga 11 metrat për kuqeblutë, duke shtuar edhe një tjetër gol dhe duke rregulluar edhe më shumë bilancin e tij mbresëlënës ndaj këtij kundërshtari. Me këtë realizim, 35-vjeçari jo vetëm që thelloi statistikat personale ndaj Tiranës, por dha edhe një tjetër sinjal se në ndeshjet e mëdha di të marrë përgjegjësi. Edhe pse ka pasur ndeshje ku nuk ka shënuar, historia e viteve të fundit tregon qartë se Balaj “ndizet” sa herë përballet me Tiranën. Në një sfidë që pritet të jetë vendimtare për objektivat e sezonit, të gjithë sytë do të jenë tek ai për të parë nëse do të vazhdojë traditën e golave në klasiken e futbollit shqiptar. Sepse kur përballë është Tirana, statistikat flasin qartë, Bekim Balaj rrallë fal.


