Friday, August 14, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORENdeshja e parë e kampionatit, Vllaznia e nis me një mungesë të...

Ndeshja e parë e kampionatit, Vllaznia e nis me një mungesë të rëndësishme

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia do ta nisë kampionatin e ri me një mungesë të rëndësishme në prapavijë. Erdenis Gurishta nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Edi Martini në javën e parë të kampionatit, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që pezullimi ta mbajë jashtë edhe në javën e dytë.

Shkak është dënimi i marrë nga Komisioni i Disiplinës që prej sezonit të kaluar, pas përplasjes së Gurishtës me Aleksin. Vendimi i atëhershëm disiplinor vijon të ketë efekt edhe në nisjen e sezonit të ri, duke bërë që zv.kapiteni shkodran të mos jetë një alternativë për teknikun kuqeblu në ndeshjet e para.

Kjo situatë e detyron Martinin të bëjë llogaritë pa një prej liderëve të skuadrës pikërisht në momentin kur Vllaznia kërkon të nisë edicionin në mënyrën më të mirë të mundshme. Gurishta është një prej lojtarëve me më shumë eksperiencë në grup dhe mungesa e tij pritet të ndihet jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në organizimin e repartit defensiv.

Në këto kushte, gara për një vend në formacionin titullar bëhet edhe më interesante. Francois Dulysse dhe Pusi duken aktualisht si dy prej alternativave kryesore për të marrë një rol në prapavijë, me të dy futbollistët që po kërkojnë të bindin stafin teknik në ditët e fundit të përgatitjeve.

Dulysse, një prej afrimeve të kësaj merkatoje, synon të fitojë sa më shpejt besimin e Martinit, ndërsa Pusi ka avantazhin e njohjes me ambientin dhe skuadrën. Konkurrenca mes tyre do të jetë një prej çështjeve që do të marrë vëmendjen e stafit në prag të startit të kampionatit.

Në një moment kur Vllaznia po kompleton formacionin dhe po kërkon të krijojë një grup sa më konkurrues, mungesa e Gurishtës i shton edhe një tjetër pikëpyetje formacionit. Martini duhet të zgjedhë zëvendësuesin e zv/ kapitenit dhe të gjejë kombinimin më të sigurt për të nisur sezonin, me synimin që mungesa e një prej liderëve të skuadrës të mos ndikojë në rezultatet e para.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments