Me 7 vende të para, por edhe më të tjerë të dyta dhe të treta, ekipi i atletikës së meshkujve të Vllaznisë ka hedhur pasditen e sotme një hap shumë të rëndësishme për shpalljen kampion kombëtar edhe për vitin 2026. Padyshim kjo është ajo që pritej sepse ky kampionat është vlerësuar maksimalisht sepse titulli kampion i tij do të ishte i 18-ti rradhazi, por më së shumti ka vlera historike, sepse do të jetë i 30-ti në total për Vllazninë, çka është edhe një rekord për atletikën e meshkujve në vendin tonë.
Kampionati ka nisur sot dhe në Elbasan janë zhvilluar garat e ditës së parë të cilat konfirmuan edhe njëherë tjetër faktin që shkodranë janë “superfuqi” në këtë sport.
Kështu në garën e 100 metrave më i shpejti ka dalë atleti i Vllaznisë Endri Rakaj që është shpallur kampion kombëtar me kohën 11″03, ndërsa Leandro Çardaku me kohën 11″16 është renditur i treti.
Në garën e 110 metrave me pengesë, atleti shkodran Durjan Idrizaj ka qenë më i shpejtë se të gjithë kundërshtarët e tij dhe ka prekur i pari finishin me kohën 15″44 duke u shpallur kampion kombëtar për këtë vit.
Në 400 metra i zakonshmi Franko Burraj i ka sfiduar të gjithë kundërshtarët dhe si rrjedhojë ka dalë i pari me kohën 46″45 duke u shpallur kampion kombëtar dhe në vend të dytë në këtë disiplinë është renditur Dejan Balla. Në 800 metra atleti tjetër i Vllaznisë Sidrit Kopliku ka zënë vendin e parë duke u shpallur po ashtu kampion kombëtar i kësaj disipline.
Në kërcim së gjati ka patur “rivalitet” shkodranësh teksa në fund ka triumfuar Muhamet Çangeli me distancën 7.71 metra, në vend të dytë është renditur atleti tjetër i Vllaznisë Endri Rakaj me 7.16 metra dhe në vend të tretë Mario Cepi me distancën 6.51 metra.
Në garën e kërcimit sëë gjati edhe pë femra është shpallur kampione një atlete e Vllaznisë, pikërisht Erisa Rrasa e cila ka kërcyer 5.50 metra.
Atletët e Vllaznisë kanë dominuar edhe në stafetën 4×100 metra ku atletët Franko Burraj, Leandro Çardaku, Durjan Idrizaj dhe Endri Rakaj kanë arritur kohën 42″57 duke u shpallur kampion.
Në përfundim të garave të ditës së parë, Vllaznia ka arritur të grumbullojë 105 pikë duke qenë e shkëputur ndjeshëm nga Skënderbeu i vendit të dytë dhe titulli kampion duket thuajse çështje e mbyllur megjithatë kjo do të vendoset në garat e ditës së nesërme që do të shpallin edhe ekipin kampion të këtij viti.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


